Në Vlorë qytetarët nuk i rezistojnë detit, lahen edhe pse është e ndaluar: S’kemi frikë policinë, rrimë një gjysmë ore e largohemi

Në një tjetër kohë plazhet e Vlorës do të ishin të tejmbushur me pushues jo vetëm nga Vlora por nga mbarë vendi.

Por edhe pse Vlora tashme është shpallur zonë e gjelbër ende  aktet normative të masave parandaluese të COVID-19 nuk lejojnë frekuentimin masiv të plazheve, ndërsa fundjava i ka tunduar të apasionuarit pas detit, megjithëse të lahesh është ende e ndaluar.

Të shumtë ishin sot qytetarët që kanë frekuentuar zonën jugore të Ujit të ftohtë, të cilët nuk i ka penguar as temperatura jo e përshtatshme e ujit.

“Pjesërisht jetojmë në Vlorë, por nuk jam nga Vlora, jam nga Elbasani. Jam i apasionuar pas detit dhe sot koha është shumë e mirë. Është dita e katër që kam hyrë në det. Për lëvizjen varet se nëqoftëse do ishim në Durrës, zonë e kuqe, lëvizjet duhet të ishin më të kufizuara. Këtu kaq kohë sa jme gjendja duket optimale,”-shprehet një qytetar.

‘Zgjodha këtë vend se është më qetë dhe s’ka polici. Po rrimë në diell se uji është akoma i ftohtë. Plazhet duhet lejuar se njerëzit nuk duhet të mbyllen. Të mbahen distanca dhe të zbatohen rregullat, por njerëzit të mos qëndrojnë të mbullur. Varet të shoh nëse bukën do ta marr me vete,”-shprehet një tjetër qytetar.

‘Koha është shumë e bukur, vijmë gjithmonë këtu se shplodhemi. Nga policia s’kam frikë. Ne nuk rrimë në grumbuj, por mbajmë distancën. Rrimë për gjysmë ore, një ore, pastaj shpërndahemi,”-shprehet një tjetër qytetar.

Sipas të intervistuarve është koha e lehtësimit të masave në favor të frekuentimit të plazhit, ndërsa nuk harrojnë të thonë se çdokush duhet të kujdeset vetë për të respektuar protokollin shëndetësor, i cili duhet gjithnjë respektuar në emër të shëndetit.