Dhunimi i arbitrit në Delvinë, Liga e Futbollit: Vetëm Policia e Shtetit dhe Prokuroria e parandalojnë
Elis Pulaj, arbitri anësor në ndeshjen Delvina-Albpetroli, u godit me gurë nga një tifoz, i shpallur më pas në kërkim.
Ndeshja u ndërpre dhe FSHF dhe Shoqata e Arbitrave reaguan për ngjarjen e shëmtuar në sfidën e Kategorisë së Dytë. Sot ka reaguar edhe Liga Profesioniste e Futbollit, që ka një mesazh për autoritetet shtetërore.
“Liga Profesioniste e Futbollit dënon ashpër dhunën e ushtruar ndaj gjyqtarit Elis Pulaj gjatë ndeshjes Delvina-Albpetroli, e vlefshme për javën e 7-të të Kategorisë së Dytë, Grupi B. Kjo ngjarje e rëndë meriton të zbardhet sa më shpejt dhe të vërë para ligjit autorët.
Dhuna si një fenomen negativ ka shoqëruar futbollin shqiptar në nivele dhe kategori të ndryshme. Vetëm forca e ligjit, Policia e Shtetit dhe Prokuroria kanë autoritetin për të parandaluar, zbardhur dhe dënuar agresorët që cenojnë futbollin.
Ngjarja në Delvinë mund të përsëritet nesër diku tjetër. Vullneti politik për të hartuar ligje dhe zbatuar drejt ato do të parandalojë dhe largoj përfundimisht dhunën nga stadiumet në Shqipëri. Është momenti për të reaguar, gjetur zgjidhje dhe mbrojtur komunitetin e madh te futbollit”, shkruhet në reagimin e LPF.