Transportonin ilegalisht medikamente, kapen mat dy shoferët e autobusëve në Vlorë
Policia e Vlorës ka proceduar penalisht dy shoferë autobusësh, të cilët u kapën duke transportuar medikamente ilegalisht, për të cilat duhej paguar akcizë.
Sipas uniformave blu bëjnë me dije se në autobusin me drejtues shtetasit A. M., 45 vjeç dhe M. P., 29 vjeç, në pjesën fundore të kabinës u konstatuan të fshehura 209 pako me medikamente të markave të ndryshme, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Njoftimi i plotë:
Policia Kufitare në Portin e Vlorës, në kuadër të masave të shtuara për goditjen e paligjshmërisë, parandalon dhe godet një tjetër rast të kontrabandës me mallra për të cilat paguhet akcizë.
Sekuestrohen 209 pako medikamete të markave të ndryshme.
Procedohen penalisht 2 shoferët e autobusit ku u gjetën pakot me medikamente.
Shërbimet e Policisë Kufitare në Portin e Vlorës, si rezultat i masave të shtuara për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë, bazuar dhe në analizën e riskut, në dalje kanë kaluar për kontroll të imtësishëm në vijën e dytë, autobuzin me drejtues shtetasit A. M., 45 vjeç dhe M. P., 29 vjeç, banues në Fier (të cilët e drejtonin autobusin me turne).
Gjatë kontrollit, në pjesën fundore të kabinës së autobuzit u konstatuan të fshehura 209 pako me medikamente të markave të ndryshme, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Në vendngjarje kanë mbërritur specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në DVP Vlorë, të cilët, në përfundim të veprimeve kanë proceduar penalisht shtetasit A. M. dhe M. P., për veprën penale “Kontrabanda me mallra që paguhet akcizë”.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Vlorë, për veprime të mëtejshme.