“Spitali i Vlorës gati për të pritur pacientë me COVID”, Rama: Imagjino të kishte rënë virusi në 2014 me ato kushte
Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se spitali rajonal i Vlorës është gati për të pritur pacientë me COVID.
Gjatë një inspektimi në ambientet e Spitalit, shefi i qeverisë thotë se godina është e pajisur me të gjitha mjetet e nevojshme për të pritur të infektuarit.
Duke bërë një paralelizëm mes spitalit në vitin 2014, dhe tani, ai thotë se do të ishte fatkeqësi nëse do të kishte rënë COVID-i më parë
“Shumica dërrmuese e njerëzve që flasin për spitalet, ose kanë qenë në spital më parë dhe vijojnë përfytyrojnë spitalet e deri djeshme. Ose kanë dëgjuar fjalët e të tjerëve. Këto nuk janë të 1914 por të 2014. Me gjithë këtë sistem që është për COVID tamam si në Francë e Itali. Deri në 2014 kishte këtë dhe atë. Sot ka komplet një pamje dhe një përmbajtje tjetër. Është shumë e rëndësishme që ta dinë se nuk kemi problem kapacitetesh. Ne kemi planin për vjeshtë-dimrin. Nëse jemi në gjendje të japim naftëtarëve, para apo të ndihmojmë familje, ne atëherë kemi në gjendje dhe të shtojmë testet. Por testimet nuk ndëpresin zinxhirin e infeksionit. I rëndësishme është rezultati.
Vdekshmëria, infektimet apo çdo gjë tjetër. Nuk ka rëndësi loja, por në fund rezultati. Ajo që është e rëndësishme është që njerëzit duhet të kuptojnë që në këtë situatë, Shqipëria ka spitale për COVID që nuk ka asnjë dallim nga të tjerët. Mjekët nuk janë gogolë siç i përfytyrojnë por janë heronj. Ka një komunitet ekspertësh që po tregohet në lartësinë e sfidës. Ekspertët janë të specializuar. Kjo është një sfidë për të gjithë njerëzimin dhe ne nuk po dalim tjetër dhe po lëmë nam. Imagjino të kishte rënë COVIDI në 2014 me ato kushte. Atëherë do të shihnim se çfarë janë fatalitetet” – tha Rama.
Krahas dhomës së reanimacionit, Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu deklaroi se ka zona që do të presin pacientë të infektuar me koronavirus. Por gjithçka do të vijojë sipas një plani të mirëmenduar.
“Reanimacioni ka standartet dhe parametrat e spitaleve europiane. Do të ketë të gjitha pajisjet për terapi intensive. Kemi dhe zona të dedikuara për pacientë me COVID. Janë 14 shtretër deri më tani. Për të gjitha spitalet rajonale kemi marrë pajisjet me nevojshme që duhet të kenë këto spitale” – tha Manastirliu.