OSHEE shpall tenderin për aksin Sarandë – Delvinë
Operatori i Sistemit të Shpërndarjes, OSHEE ka shpallur tenderin me fond 142.4 milionë lekë për ndërtimin e linjave të energjisë elektrike në zonën Sarandë – Delvinë.
Sipas relacionit teknik, ky investim kryhet për të përjashtuar fenomenin e lidhjeve të jashtëligjshme të energjisë.
“Në Agjencinë Delvinë në zonën e fshatrave të aksit Sarandë – Delvinë që pas viteve ‘90 ka pasur një zgjerim të madh si pasojë e ardhjes së njerëzve pranë zonave të ulëta dhe rritjen e popullsisë së këtyre zonave ka më shumë mundësi për abuzim me rrjetin nga ana e abonentëve.
Prandaj do të ishte tepër me leverdi investimi me linja me kabëll ABC në këto zona çka do të shmangte abuzimet me energjinë elektrike” specifikohet më tej në dokumentacionin bashkangjitur tenderit.
Sipas detajeve teknike, në këto zona, një pjesë e linjave sidomos pas viteve ‘90 janë ndërtuar nga vetë banorët dhe jashtë kushteve teknike, pasi janë ndërtuar me profile metalike dhe druri që nuk janë shtylla të mirëfillta.
“Në Agjencinë Delvinë, zonën e fshatrave të aksit Sarandë-Delvinë është një zonë e cila ka marrë një zhvillim të madh vitet e fundit lidhur kjo si me zhvillimin e bizneseve, por dhe afërsinë që kanë me dy qytetet kryesore Sarandë dhe Delvinë.
Tjetër faktor tepër i rëndësishëm që pritet ta zhvillojë këtë zonë dhe më tepër duke rritur ndjeshëm dhe kërkesat për energji elektrike është ndërtimi i rrugës kombëtare Kardhiq-Delvinë e cila kalon përmes pjesës më të madhe të këtyre fshatrave. Me zhvillimet infrastrukturore ritet dhe kërkesa për energji elektrike dhe kjo me parametra optimale” specifikohet më tej.
Tenderi i shpallur në Agjencinë e Prokurimit Publik do të qëndrojë i hapur deri më 14 dhjetor, me një afat kohor për ekzekutim 6 mujor, që nga nënshkrimi i kontratës me subjektin fitues.