Edhe spitalet rajonale të përgatitura, Manastirliu: Mos shkoni vonë në spitale, 1600 shtretër për përballimin e epidemisë

“Spitalet rajonale janë të përgatitura, me investimin e kryer për linjat e oksigjenit të dedikuara dhe aparaturat në reanimacione, ndërkohë që janë trajnuar në vazhdimësi stafet. Skenarët tanë përfshijnë kapacitetet prej 1600 shtretërish në të gjithë sistemin për të përballuar këtë epidemi” – deklarata u bë nga Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale gjatë interpelancës në Kuvend, për situatën e epidemisë në vend të shkaktuar nga COVID19.

Duke deklaruar se Qeveria ka vënë menjëherë në dispozicion 25 milion euro për përballimin e epidemisë, Ministrja Manastirliu tha se po rriten kapacitetet kapacitetet laboratorike, spitalore, janë siguruar pajisjet me mjetet mbrojtëse për stafet mjekësore dhe shërblime financiare për ta, mbështetja me aparatura dhe terapi mjekimi, si kudo në vendet e tjera.

“Dyfishuam numrin e respiratorëve, ventilatorëve, pajisjeve në reanimacione. Punuam gjatë këtyre muajve për të punësuar mbi 270 punonjës shëndetësorë të dedikuar për të shërbyer në spitalet Covid. 7 milion euro ka qenë mbështetja e deritanishme për bonusin special, 1 mijë euro dhe 500 euro për stafet në frontin Covid”, tha Manastirliu gjatë fjalës së saj në Kuvend.

Duke folur për kapacitetet spitalore, Ministrja Manastirliu bëri këtë apel:

“Më lejoni këtu të them që t’i drejtohem me zemër çdo qytetari: Mos ejani vonë në spitale mos dëgjoni ata që dalin e thonë që mjekët nuk shërbejnë, që nuk ka shtretër. Nuk e bëjnë për ju, e bëjnë për hallin e pushtetit të tyre, kanë hallet e bizneseve të tyre, si atëherë kur ju dha mundësia dhe e lanë shëndetësinë në gërmadhë”, tha Manastirliu.

Në fjalën e saj Manastirliu tha se janë forcuar kapacitet testuese dhe se brenda Dhjetorit mbërrijnë testet e shpejta.

“Jemi të vetëdijshëm që gjithmonë ka vend për përmirësim dhe atë po bëjmë çdo ditë. Duke rritur kapacitetet më përfshirjen e testeve të shpejta të antigenit që i presim brenda muajit Dhjetor, synojmë kufizimin e mëtejshëm të përhapjes së virusit”, tha Manastirliu.

Duke theksuar se asnjë qytetar i prekur nga Covid nuk do të lihet pa mbështetje, Manastirliu tha se paketa prej 1.2 miliard lekësh e miratuar nga qeveria do të rimbursojë barnat e trajtimit në mënyrë ambulatore të pacientëve të prekur nga Covid19.

“Filluam rimbursimin e paketës së barnave të trajtimit ambulator në banesë për qytetarët që kanë nevojë për terapi mjekimi duke mbështetur kështu çdo familje, duke reduktuar kostot nga xhepi për terapitë e mjekimit, duke disiplinuar terapitë nëpërmjet vëmendjes së posaçme për çdo qytetar nga mjekët e familjes. Për 2021, buxheti vetëm për rimbursimin e terapive me barnat për ambulatorët do të jetë 1.2 miliard lekë”.

Ndër masat e ndërmarra nga qeveria për përballimin e epidemisë, Ministrja e Shëndetësisë tha: “Qeveria shqiptare është angazhuar menjëherë në financimin nëpërmjet aleancës Gavi dhe instrumentit Covax për vaksinën anti-covid. 3.9 milion euro janë parapaguar dhe vijojmë punën për të siguruar vaksinën për qytetarët tani. Fillimisht me grupet e riskuara dhe kjo vaksinë do të jetë falas”.

Manastirliu theksoi gjatë fjalës së saj se, bazuar në planin e vjeshtë-dimrit siguruam vaksinimin falas ndaj gripit për grupet e riskuara për 368 mijë qytetarë dhe nga dje ka mbërritur sasia e fundit prej 230 mijë vaksinash. Çdo i moshuar, i sëmurë kronikë, grua shtatzanë, mësues, etj, mund ta kryejë falas vaksinën pranë mjekut të familjes.

Në fund të fjalës saj Manastirliu ka bërë një thirrje për qytetarët duke ftuar qytetarët që të besojnë ekspertët.

“Të dashur qytetarë sot nuk është koha për retorika boshe, nuk është koha të dëgjoni ata që nuk janë kujdesur ndonjëherë për ju, nuk është koha për ata që e lanë shëndetësinë të vuante e të hiqte si një kufomë është koha për të besuar autoritete shëndetësore është koha për të besuar ekspertët”, bëri thirrje Manastirliu.