Deputeti “kaçurrels” vijon përpjekjet titanike për të shpallur historik detin shqiptar ku ka shkelur “Jul Qezari”

Deputeti Kostaq Papa, rikthehen në Kuvend projektligjin “Për Shpalljen si det historik të Gjirit të Sarandës, Butrintit, Borshit, Qeparoit, Palasës”.
Disa ditë pasi e kishte dorëzuar versionin e parë, statusi i draftit në Kuvend qëndronte “i tërhequr”. I pyetur nga TPZ.al, Papa tha se “ Do të riparaqitet ditën e enjte! E tërhoqa unë për përmirësime teknike. Projekti ishte në 4 variante. Unë kisha paraqitur variantin e parë për të testuar tradhtarët e parlamentit dhe ata vërtet i mbushën pantallonat”, tha Papa pa shpjeguar se cilët e kishin kundërshtuar.

“Të enjten do të jetë dorëzuar e do të hyjë në axhendë. Se herën e parë ata gabuan dhe e kapi para kohe media, gjë që ishte gabim. Mos t’ju haj meraku për veprimet ligjore e detyrën që do e bej unë 100% po shikoni të mbështetni mediatikisht qëndrimin tim kombëtar, që do të bëj në vazhdim e që mund të arrij deri në Votë Mosbesim ndaj qeverisë.

Ajo që po bënë qeveria është tradhti e hapët duke i falur det shqiptar Greqisë. Tradhtia e Ramës u barazua me tradhtinë e Berishës më 2009. Biles po ja kalon”.

“Projektligji, -sipas variantit të tërhequr, -synon të mbyllë spekulimet në lidhje me problemet që janë shfaqur nga kërkesa e shtetit fqinj për delimitimin e ujërave detare dhe shtrirjen 12 milje të kufirit detar në Detin Jon. Projektligji synon të mbyllë mundësinë për korrupsion me ujërat detare e detin territorial shqiptar nga nëpunës të shtetit shqiptar gjate tratativave për marrëveshje me vendet fqinje. Ky projektligj mbyll përfundimisht mundësinë e matjeve te gabuara e me shumë përthyerje në detin e Gjirit të Sarandës dhe çon vijën e ujërave tona në koordinatat e duhura e të përcaktuara nga institucionet ndërkombëtare”.

Historia

Deputeti, megjithëse e kishte shkruar nxitimthi dhe me gabime ortografike, ofronte edhe argumente historike. Sipas deputetit, “Jul Qezari ka shkelur gjithë këtë hapësirë detare, por dhe tokësore sepse ai vendosi prapavijën e tij në bregun lindor të Liqenit të Butrintit në afërsi të Sopikut në vendin qe sot quhet Hambarët e Jul Qezarit.

Hapësira detare e Gjirit të Sarandës, por dhe toka kontinentale përballë: Butrinti, Onhenzmi etj, është përshkuar nga emra të njohur të historisë së lashtë: perandorë, senatorë, konsuj e autorë të lashtë romak, me te lavdishmit e asaj epoke të largët.

Prej detit mbërritën në tokë Dyzetë Shenjtorët dhe u vendosën në shpatin e malit mbi qytet e nga mendohet se ka ardhur emri i sotëm i qytetit”.

Një ide të tillë, për ta shpallur Gjirin e Sarandës det historik e ka rekomanduar edhe Kolonel Myslim Pashaj, ambientalisti Sazan Guri dhe të tjerë. Ndoshta kjo është arsyeja që qeveria ia ka lënë në dorë iniciativën e këtij ligji të rëndësishëm një deputeti opozitës formale dhe jo ta bënte me ekspertët e vet. Deputeti Papa është i njohur për deklaratën epike se “Kur isha kaçurrel qerasja femrat me whiskey”. Ai erdhi nga lista e Partisë Demokratike dhe zëvendësoi në parlament ish kryeministrin Sali Berisha.