Padia për Gjirin e Kakomesë, reagon biznesmeni Luan Leka: Nivica vend malor, banorët kërcënuan investitorët

Biznesmeni Luan Leka ka reaguar ndaj padisë së paraqitur nga ana e banorëve të Nivicës për tjetërsimin e pronave. Leka në një reagim publik pretendon se këto akuza janë trillime dhe se sipas reagimit zyrtar të Shoqërisë Rivieria Kakome banorët e fshatit Nivicë kanë kërcënuar edhe investitorët italianë që u larguan.

“Në të katër shkallët e gjykimit u njoh Pronësia E SHTETIT MBI TRUALLIN E KAKOMESË duke rrëzuar çdo pretendim të banorëve të Nivicës. (U paraqitën në gjykim edhe dokumente te kadastrës së shtetit të vitit 1929 përveç faktit që banorët e Nivicës nuk paraqitën asnjë dokument për pretendimet e tyre) Mbas mbylljes se konfliktit gjyqësor shteti aplikoi procedurën e privatizimit në bazë të ligjit nr. 10186 dt 05/11/2009 ” Për rregullimin e pronësisë në zonat me përparësi turizmin”, ligj mbi bazën e të cilit kalohej në privatizimin e detyrueshëm të fshatrave turistike, gjerësisht i aplikuar në vend”, thuhet në reagimin e kësaj shoqërie.

Më tej theksohet edhe procedurat për privatizimin e plotë të truallit u ndërmor në moment të caktuar. “Meqenëse në atë kohe sapo kishin rifilluar punimet dhe ishin ndërtuar vetëm shtretërit e rrugëve, pusetat dhe kanalizimet shoqerisë Riviera Kakome Shpk iu kërkua pagesa e kalkuluar për privatizimin e plotë të truallit të ndërtimit prej 29 ha apo 290.000 m2 . Mbi bazën e kontratës së shitjes te dt. 23/03/2012 ndërmjet shtetit shqiptar të përfaqësuar nga ALUIZNI dhe shoqërisë Riviera Kakome shpk prona u regjistrua me 16/04/2012 ne ZRPP Sarandë në emër të shoqërisë”, thuhet në reagim.

Shoqëria thekson se banorë e Nivicës jetojnë në një zonë malore dhe nuk kanë lidhje me gjirin e Kakomesë. “Por për fat të keq, pa filluar punimet u ndodhëm para një veprimi sabotues të Këshillit Bashkiak Himarë. Ky këshill, me 26/05/2017, në mënyrë plotësisht antiligjore, u dha tetë akte pronësie trualli, me sipërfaqe rreth 1000 mq secila tetë familjeve fshatit Nivicë. Nuk përcaktohej saktë ku ishin këto prona, vetëm i klasifikonin brenda sipërfaqes prej 290.000 mq ku investitorët Riviera Kakome shpk, Luan Leka dhe Dritan Çelaj bëheshin gati për të filluar projektin e përbashkët me Blu Serena Resort. Këto akte pronësie antiligjore asnjëherë nuk u pranuan nga ZRPP Sarandë. Por, mjaftuan për të shkaktuar trazira te organizuara nga 4-5 familje para portës së Kakomesë. Për më tepër iu benë edhe kërcënime për jetën bashkë investitorëve italiane të cilët braktisën projektin për bashkë investimin”, thuhet në deklaratë.

Shoqeria Riviera Kakome paraqiti kallëzimin penal për autorët e këtij akti antiligjor dhe sabotues. Në përfundim te gjykimit u dënua për ” shperdorim detyre” , Drejtori i menaxhimit të tokave Himare z. Jerasimo Bashi për vendimin e dt 26/0572017, për dhënien e tetë akteve antiligjore të pronësisë.

“Ne vitet 2005-2006 punimet per fillimin e ndertimit u penguan nga nderhyrjet e dhunshme te disa
banoreve te fshatit Nivice te cilet kishin pretendime per pronesine e truallit. ( per ata qe nuk e dine
Nivica eshte nje fshat malor i ndodhur rreth 7 km larg Kakomese)….Pra aktualisht, asnjë banor i fshatit Nivicë nuk ka një dokument të vlefshëm pronësie për tokën në Kakome. Thjesht kemi të bëjmë me një përpjekje të një grushti njerëzish, që të gjithë së bashku pretendojnë 3% të pronës dhe që u bëjnë presion organeve të drejtësisë dhe investitorëve me qëllimin e vetëm për të rrëmbyer diçka që nuk u takon”, thuhet në këtë reagim. Shoqëria premton që të ndërtojë resortin dhe në verën e vitit 2023 do të jetë i gatshëm.

Banorët e Nivicës dhe të Gjirit Kakomesë kanë ngritur në padi ndaj ish-kryetarit të Agjencisë së Legalizimit, ALUIZNI-t, Shaban Memia për shkak të dhënies së vendimit që i ka dhënë firmës private 100 hektarë tokë për të ndërtuar. Në kallëzimin e 1005 banorëve të fshatit Nivicë bërë ndaj Memisë, ai akuzohet se kanë grabitur pronën, duke ia kaluar pronën biznesmenit Luan Leka, për ndërtimin e një fshati turistik, projekt i cili deri më sot ka mbetur vetëm në letër.