Kodi i ri Zgjedhor, Vangjel Dule kandidat në Gjirokastër dhe Vlorë?!
Ndryshimet e djeshme të Kodit Zgjedhor, të cilat u kundërshtuan nga opozita në tërësi, nuk janë aq të këqija për partitë e vogla sidomos. Vec uljes së pragut elektoral në 1%, që iu rrit shanset për të hyrë në Parlament, lejohet mundësia që kryetari i një partie të garojë njëherësh në 4 qarqe të ndryshme.
Kreu i Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, që përfaqëson minoritetin grek në vendin tonë, pritet të garojë në qarkun Gjirokasër dhe në qarkun Vlorë, qarqe ku ka zona të banuara nga minoriteti.
Kjo nuk është ende zyrtare pasi priten zhvillime të kampin opozitar. Akoma nuk dihet nëse opozita do dalë me një listë të përbashkët zgjedhore apo do të kemi dy ose tre lista. Vangjel Dule mori mandat deputeti në zgjedhjet e vitit 2017 duke garuar me listën e PD-së në qarkun Vlorë në vendin e tretë.
Mbetet për t’u parë se si Lulzim Basha do ta ‘akomodojë’ kësaj here Vangjel Dulen, duke patur parasysh edhe faktin që pjesë e koalicionit opozitar janë edhe camët e PDIU.
Vlora është gjithashtu për ta një qark me valencë të madhe politike ku kanë një pjesë të konsiderueshme të elektoratit. Deri më tani opozita ka lënë të kuptohet se do të dalë me një listë të përbashkët zgjedhore, por deri 40 ditë para zgjedhjeve do të rrjedhin shumë ujëra.