Ish-gjyqtari i Apelit Vlorë u përpoq të “fshihej” pas raporteve mjekësore dhe një vendimi gjykate
Vendimi i zbardhur i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit tregon se gjyqtari Petrit Aliaj dërgoi në 4 muaj, katër raporte mjekësore me diagnoza të ndryshme – një prej të cilëve u provua i rremë sipas KPK. Komisioni e shkarkoi për një sërë problemesh, përfshi përpjekje për të fshehur pasurinë dhe cënim të besimit te drejtësia.
Nga Vladimir Karaj
Nga marsi deri në qershor gjyqtari i shkarkuar i Apelit të Vlorës, Petrit Aliaj i paraqiti Komisionit të Pavarur të Kualifikimit katër raporte mjekësore, me katër diagnoza të ndryshme nga njëra tjetra, duke kërkuar shtyrje të procesit.
Por të paktën në një rast KPK provoi pas hetimit se Aliaj po gënjente përmes raporteve mjekësore. Sipas vendimit ndërsa raporti mjekësor e vendoste atë të shtruar në një spital privat në Tiranë, për “hernie diskale”, ai ishte paraqitur në punë në Vlorë dhe kishte marrë pjesë në gjyqe.
“Jemi vënë në dijeni se gjyqtari Petrit Aliaj është paraqitur në punë në mënyrë të pandërprerë gjatë kësaj periudhe dhe ka marrë pjesë në të gjitha gjykimet, ku ka qenë relator apo anëtar i trupit gjykues”, citohet në vendimin e zbardhur një përgjigje e Këshillit të Lartë Gjyqësor për Komisionin.
Trupa që gjykoi Aliaj vë në dukje se raportet mjekësore u përdorën nga gjyqtari bashkë me një sërë kërkesash të tjera proceduriale të përsërituara, për të shtyrë procesin. Trupa e përdori gjetjen e raportit të rremë për të avancuar procesin, pasi Aliaj përsëriti kërkesat për përjashtim trupe dhe solli raport të ri me diagnozë tjetër mjekësore.
“Sjellja e subjektit të rivlerësimit gjatë hetimit administrativ, nuk cënon parimet e procesit të rregullt ligjor, ndjekur nga trupi gjykues, i cili ka respektuar të drejtat themelore të subjektit të vlerësimit, në kryerjen e procesit të rivlerësimit”, thuhet në arsyetim për vendimmarrjen për të vazhduar seancën pa praninë e Aliajt.
Por KPK nuk duket se e përdori raportin që rezultoi pas verifikimit i rremë për të penalizuar Aliajn. Në vendimin e shkarkimit citohen katër arsye, sipas të cilave Aliaj, kishte bërë deklarim të pamjaftueshëm, kishte bërë përpjekje për të fshehur pasurinë, nuk ka shpjeguar burimin dhe kishte cënuar besimin e publikut duke dhënë një vendim gjyqësor në favor të një pale nga e cila kishte blerë pronë.
Trupa në rastin e subjektit Aliaj kryesohej nga Etleda Çiftja, me relatore Xhensila Pinen dhe anëtare Brunilda Bekteshi.
Petrit Aliaj e ka nisur karrierën e tij në sistemin e drejtësisë në vitin 1995 dhe ka punuar për më shumë se një dekadë si gjyqtar në Delvinë dhe në Sarandë. Në vitin 2004, Aliaj u shkarkua nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë me motivacionin “Për kryerjen e veprimeve që vijnë në kundërshtim me përmbushjen e rregullt të detyrës”, por një vendim i Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë e riktheu atë në punë në vitin 2006.
Më tej Aliaj u promovua në detyrë në vitin 2013 si gjyqtar i Gjykatës së Apelit të Vlorës dhe në këtë pozicion ishte pjesë e trupës që i uli dënimin Dritan Dajtit, që u gjet fajtor për vrasjen e katër oficerëve të policisë, nga burg përjetë në 25 vite. Një hetim për Aliajn dhe dy gjyqtarë të tjerë është ende në vijim në SPAK.
Në vitin 2015, ai u kallëzua nga Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive për mosdeklarim dhe fshehje të burimeve të pasurisë së tij si dhe për deklarime të rreme. Për këto akuza ai u hetua më pas nga Prokuroria e Elbasanit, e cila vendosi të pushojë çështjen penale kundër tij.
Ky vendim i prokurorisë dhe një vendim gjykate që kishte konfirmuar pushimin u përdor nga ish-gjyqtari gjatë procesit të rivlerësimit. Ai këmbënguli që prej fillimit që KPK të merrte si të mirëqenë hetimin e kryer nga prokuroria dhe vendimin e gjykatës, duke kthyer shpesh si përgjigje arsyetimin e përdorur në atë vendim.
“Arsyetimi i dhënë nga ana juaj është në kundërshtim me pjesën përshkruese të arsyetimit të vendimit gjyqësor të formës së prerë nr. **(****), datë 4.7.2016, të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan, si dhe me bilancin e rezultuar nga akt-ekspertimi kontabël i cituar në këtë vendim.”, citohet Aliaj në vendim.
Por KPK e rrëzoi këtë pretendim duke venë në dukje se sëpari vendimi i Gjykatës së Elbasanit nuk e shfajësonte Aliaj, por pranonte arsyetimin e prokurorisë se nuk kishet prova për ta dënuar atë. KPk thotë se gjykata kishte rrëzuar pretendimin e Aliajt që kishte kërkuar të vendosej në vendim se “fakti nuk egziston”. Aty shpejgohet se çështja në fjalë mund të rihapej në çdo rast nga prokurori edhe mbi bazë të provave që kishte pasur hetimi.
Përndryshe trupa arsyeton se procesi i vetingut ngrihej mbi baza të tjera dhe nuk ndikohej nga vendime penale dhe se justifikimet e Aliajt nuk do të merreshin parasysh.
Në vendimin e zbardhur lihet të kuptohet se Aliaj nuk arriti të justifikonte pasurinë e tij, përfshi një shtëpi në Sarandë, të ardhurat e bashkëshortes nga një kompani që drejtohej nga i ati, dhurimet nga të afërm, burimin e parave të përdorura për shkollim dhe një mori të ardhurash të tjera.
Kështu gjatë vitit 2005, Aliaj deklaroi se kishte punuar si avokat për kompanitë e vëllezërve Balili në Delvinë dhe marrë prej tyre 48 mijë euro si pagesë për konsulencë, por që u kthye në një prej çështjeve kryesore në procesin e rivlerësimit.
“Përfitimi i këtyre të ardhurave dhe ushtrimi i funksionit të avokatit nuk provohen me dokumentacion ligjor provues”, thuhet në vendim, ndërsa shpjegohet se KPK nuk gjeti asnjë provë që Aliaj të ishte rregjistruar dhe të kishte punuar si avokat.
“Referuar legjislacionit të kohës, për kohën kur subjekti pretendon se ka ushtruar profesionin e avokatit, ky profesion ushtohej pasi individët aplikonin dhe regjistroheshin në organet tatimore përkatëse, duke deklaruar aktivitetin që ushtronin”, thuhet në vendim.
Problem u konsiderua nga KPK edhe shlyerja e një huaje prej 25 milion dhramish, që kryesisht kishte shfrytëzuar këto të ardhura. Komisioni vë në dukje se Aliaj herë pas here u referohej përfitimeve të shkuara në kohë, por që nuk ishin deklaruar në atë vit apo më herët si gjendje cash.
Huatë nga vëllai nuk u konsideruan burime të ligjshme, pasi nuk u provua punësimi i tij në Greqi. Ngjashëm nuk u konsideruan të ligjshme të ardhurat e pretenduara të fituara nga i biri po në emigracion. Ndërkohë që KPK ngriti dyshime mbi një sërë transaksionesh në llogaritë bankare të djalit, të vetë Aliajt dhe të atit.
Aliaj pretendoi se një pjesë e këtyre transaksioneve ishin vendosur në bankë pas huazimit si garanci për viza për vajzat që studionin në SHBA dhe ishin kthyer në pak ditë, por KPK cilësoi si shkelje mosdeklarimin e tyre në vitet përkatës.
Ndërkohë Komisioni gjeti se vetë gjyqtari i shkarkuar kishte ndryshuar disa herë qëndrim mbi mënyrën e pagesës për disa pasuri.
Në vendim vihet në dukje se Aliaj gjykojë një çështje me palë personat që i kishin shitur atij 200 metra tokë në Sarandë për 600 mijë lekë në vitin 1998. Sipas vendimit të Komisionit një vit më vonë, personi që kishte firmosur dakordësinë që toka t’i shitej Aliajt kishte bërë padi në gjykatë për të rivendosur në afat “të drejtën për paraqitjen e dokumentacionit” në Komisionin e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave.
Komisioni gjeti se Aliaj kishte shkelur Kodin e Procedurës Civile dhe kishte shqyrtuar një çështje në të cilën kishte interes. “Duke parë rregullimet ligjore në tërësi, pretendimet e subjektit të rivlerësimit mbi këtë marrëdhënie dhe veprimet si gjyqtar, nuk bazohen në ligj dhe në fakte, për sa provohet interesi direkt i tij për pasurinë objekt gjykimi nga ana e tij”, thuhet në vendim.
KPK gjeti të paprovuara dhe në mungesë burimesh edhe pasuritë e deklaruara nga bashkëshortja, përfshi bono thesari. Sipas KPK shuma që ishte deklaruar si burim i këtyre bonove prej 2.7 milion lekësh, nuk ishte deklaruar asnjëherë para vitit 2012 dhe se nuk mund të kishte shërbyer për këtë pasuri.