Investimet në Infrastrukturë: Kardhiq-Delvinë do mbyllet në vitin 2021
Ministrja e Infrastrukturë dhe Energjisë Belinda Balluku u shpreh se “këtë vit, ndonëse në kushtet e vështira të krijuara nga covid-19, kemi arritur dhe dorëzojmë një pjesë të mirë të kontratave dhe investimeve të realizuara në veprat e infrastrukturës rrugore, nga jugu në veri të vendit me impakt në ekonomi dhe në shërbim të qytetarëve”.
Në konferencën e përbashkët për shtyp me kryeministrin Edi Rama, ministrja Ballullu tha se “kemi përfunduar punimet në nyjën e Milotit dhe rrugët lidhëse, Bypass-in e Fierit me një akses të madh në korridorin e Jugut gjatë periudhës së sezonit turistik të verës duke eliminuar të gjithë trafikuan e rënduar në aksin e Levanit, që shumë shpejt pasohet nga Bypass-i i Vlorës që eliminon fluksin e trafikut në zonën e Radhimës”.
“Është dorëzuar në muajin mars të këtij vit rruga Tiranë- Elbasan, Lin- Pogradec, Korçë -Erseke, Loti parë dhe kemi nisur procedurat për Lotin e dytë të kësaj rruge, kaq të rëndësishme. Kemi dorëzuar Elbasan- Banjë, Unaza e Madhe e Tiranës, segmenti i TEG reparti i helikopterëve, gjithashtu rruga kopshti Botanik- Pallati me shigjeta, Loti i parë Skrapar-Përmet”- tha Balluku.
“Ndërkohë, informoi ministrja, rrugët që duhen përfunduar gjatë 2021 është rruga e Arbit, e cila do të përfundojë përpara afatit të parashikuar. Bypass-i Vlorës do të dorëzohet në pranverën e 2021, për të qenë i gatshëm për akses gjatë sezonit turistik, Ura e Zemblakut, Ura e Dragotit, Bypass-i Shkodrës. Eshtë drejt përfundimit nyja e Milotit, rikonstruksioni i Urës së Leklit, ura e Tapizës, lotet e rrugës së rëndësishme Kardhiq- Delvinë e cila do të lidh pjesën e Gjirokastrës dhe Tepelenas me bregdetin e vendit”- deklaroi Balluku.
Ajo tha gjithashtu edhe nyja e Shqiponjës është në fazën finale. “Pavarësisht vështirësive të mëdha që paraqet puna në këtë pjesë, kemi realizuar lotin e trete te Pallati me shigjeta. Unaza e Madhe e Tiranës do të përfundojë brenda vitit 2021 duke i dhënë mundësi hapjes së loteve të tjera që lidhin nyjën e Shqiponjës me Bulevardin e ri dhe Shkozën”- deklaroi Balluku.