Tuneli i Llogorasë, nis ndërtimi në muajt e parë të 2021

Ndërtimi i tunelit të Llogorasë do të fillojë punë në muajt e parë të 2021.

Kështu deklaroi sot Kryeministri Edi Rama në fjalën e tij gjatë prezantimit të projektit të ndërtimit të parkut të Shtëpisë së Pavarësisë në Vlorë.

“Për tunelin është bërë gara e projekteve dhe ne jemi shpresëplotë që në pjesën e parë të 2021 ne do fillojmë ndërtimin e tunelit të Llogorasë. Së shpejti do fillojmë projektin matanë Radhimës ku zbret bypass-i i Vlorës që po ecën me ritme të larta, ku u hoqën shpronësimet, me një projekt mizerje që u bë nga e para dhe ku do të hapet rruga që lidh këtë pjesë me atë që do të jetë tuneli i Llogorasë”, – theksoi Rama.

Ne, vijoi Rama, do bëjmë Vlorën një nga qytetet e bukur të Mesdheut, se e Shqipërisë është, ku të ketë një sezon më të gjatë, shërbime më shumë, atraksione më shumë dhe patjetër të ketë para më shumë.

Kreu i qeverisë u shpreh gjithashtu se “ne do të vijojmë punën me projektet e Vlorës, na duhet të bëjmë paralelisht këto ndërhyrje të mëdha urbane, të cilat sjellin ekonomi, punësim, jo thjesht zbukurim”.

“Kemi bërë një llogari përpara ca kohësh për impaktin ekonomik të Lungomares është i pabesueshëm, përveç atij social në jetën e qytetit për shkak të asaj vepre. Të gjitha këto vepra që bëjmë ne në qytete nuk janë zbukurime, as ndërhyrje që lehtësojnë qarkullimin, shëtitjen, shikimin, janë ekonomi, sjellin më shumë të ardhura”, – tha Rama.

Kreu i qeverisë u shpreh se “punët e bëra nga ne nuk kanë krahasim, nuk janë pa të meta, por nuk kanë asnjë krahasim. Ne i vëmë shumë rëndësi projekteve dhe standardeve të tyre. Edhe projekti i Parkut të Shtëpisë së Pavarësisë edhe ai i aeroportit të Vlorës dhe projektet që do bëjmë për Vlorën e gjithë Shqipërinë janë me standarde ndërkombëtare në çdo aspekt”.

Tuneli i Llogorasë parashikohet të ketë një gjatësi prej afro 6 kilometrash, i cili nis nga ura e Shën Elizës në zonën e Dukatit deri në urën e Palasës. Sipas llogaritjeve, duke kaluar përmes tunelit prej 6 km, me një shpejtësi 50-80 km/orë, do të bënte që kjo rrugë të përshkohej për 7-10 minuta.