Superliga mban “peng” edhe kategorinë e dytë

Kampionati shqiptar i futbollit duhej të kishte nisur dy javë më parë, por ende nuk ka qoftë edhe datë se kur mund të rinisë.

Kjo ka ardhur si rezultat i bojkotit të kampionatit nga ana e të gjitha ekipeve të kategorisë superiore.

Tentativat e qeverisë për të arritur një marrëveshje mes tyre dhe drejtuesve të ekipeve të superligës kanë dështuar deri tani.

Ata i kanë parashtruar qeverisë disa kërkesa si uljen e TVSH-së në masën 6%; faljen e gjobave dhe kamatëvonesat e detyrimeve tatimore, fiskale e të sigurimeve të prapambetura; efektet e pezullimit të tatimit mbi të ardhurat personale të lojtarëve, të shtrihen nga 2 në 10 vite; të miratohet ligji i vërtetë i sponsorizimeve etj.

Ky ngërç mes Ligës Profesioniste të Futbollit dhe qeverisë, ka mbajtur peng edhe garën në kategorinë e dytë e kategoritë e tjera.

Deri më tani nuk ka as datën se kur ekipet do të zbresin në fushë.

Gjithsesi, Butrinti është i gatshëm për të nisur garën, duke e pritur atë me entuziazëm. /Sarandanews.com/