Saranda me 600 mijë turistë më pak këtë vit, Gurma: Hotelet në vijën e parë akomodime në nivelin 35-40%

Situata nga koronavirusi ka ulur me rreth 600 mijë numrin e pushuesve në bregdetin e Sarandës. Sipas kreut të bashkisë së Sarandës Adrian Gurma gjatë muajve qershor, korrik, gusht janë regjistruar rreth 220 mijë turistë, ndryshe nga një vit më parë ku numri shkonte deri në 820 mijë.

“Situata në muajt Qershor dhe Korrik ka qenë shumë me e vakët për sa i përket turizmit, ndërsa Gushti ka qenë diçka më ndryshe, situatë më e përmirësuar. Numri i pushuesve ka qenë më i pakët krahasuar më vitet e kaluara, sepse në vitin 2019 janë numëruar rreth 800-820 mijë turistë kurse këtë vit shkon në 200-220 mijë turistë”, tha kreu i Bashkisë së Sarandës Adrian Gurma.

Rënie të vizitorëve kanë pasur edhe sitet kulturore. Adrian Gurma shprehet se Amfiteatri antik i Butrintit është vizituar nga vetëm 18 mijë turistë, ku 10 % prej tyre kanë qenë të huaj.

“Kemi pasur një rënie drastike edhe të vizitorëve në sitet kulturore dhe muzeale të bashkisë tonë. Butrinit vitet e tjera ka qenë i vizituar ndërsa këtë vit ka arritur një shifër në 18 mijë vizitorë, ku 10% kanë qenë të huaj”, tha Adrian Gurma.

Kryebashkiaku Gurma tha se situata në muajin gusht ishte më optimiste, ku pati një rritje të turistëve dhe më të kërkuarit kanë qenë hotelet në vijën e parë, të cilat kishin akomodime në nivelin 35-40%.

“Edhe në Sarandë dhe Ksamil më të preferuar nga turistët kanë qenë hotelet e vijës së parë, pra të zonës A dhe B. Sipas të dhënave nga operatorët turistikë kanë qenë në nivelin 35-40% të mundësive akomoduese”, tha Gurma

Risi gjatë këtij sezoni turistik në Sarandë kanë qenë pushuesit polakë dhe serbë. Ndërkohë numrin më të lartë e zënë ata vendas dhe kosovarë.