Qeveria greke zbardh detaje nga darka Mitsotakis-Rama: Nisim një seri bisedimesh që mbyllin temat e vjetra dhe të reja
Të tjera detaje dalin nga vizita e kryeministrit Edi Rama në Greqi me atë grek Mitsotakis. Mësohet se ministri i Jashtëm, Nikos Dendias u shpreh se kjo ishte një darkë që prodhoi shumë pozitivitet: Ishte një darkë e këndshme dhe kaluam shumë bukur. Prodhoi pozitivitet dhe optimizëm.
Folëm për gjithë temat por pavarësisht optimizmit tim, nuk mund të themi një afat. Gjërat janë relative ,por jemi të bindur se nisëm një qasje të re mes dy vendeve tona.
Ndërsa kryeministria greke,në njoftimin e saj,bën fjalë për një qasje të re mes dy vendeve. Të dy palët ranë dakord për nisjen e një proçesi bisedimesh që do të mbyllin të gjitha temat ,të vjetra dhe të reja që preokupojnë marrëdhëniet dypalëshe.
Palët shprehën kënaqësinë për shkallën e bashkëpunimit mes tyre në organizmat ndërkombëtarë dhe NATO, ndërsa u theksuan të drejtat e minoritetit grek në Shqipëri, si dhe përmirësimi i kushteve të jetesës për emigrantët shqiptarë që jetojnë në Greqi.
Palët shprehen të bindura se zgjidhje e problemeve mes dy vendeve,do të çlirojë energji pozitive.