Pronat shtetërore në bregdet, PS rrëzon Metën
Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, shqyrtoi Dekretin e Presidentit të Republikës nr. 11.590, datë 10.08.2020 “Për kthimin në Kuvend të ligjit nr. 111/2020 “Për disa shtesa në ligjin nr. 8743, datë 22.02.2001 “Për pronat e paluajtshme të shtetit” të ndryshuar”” dhe projektligjin “Për metrologjinë”.
Mazhoranca sinjalizoi se do ta rrëzojë në seancë plenare dekretin e Presidentit Ilir Meta, që ktheu për rishqyrtim ndryshimet në ligjin për pronat e paluajtshme të shtetit. Dekreti presidencial u shqyrtua në mbledhjen e së martës në Komisionin e Ligjeve, në përfundim të të cilës, deputetët e mazhorancës votuan kundër tij.
Presidenti Ilir Meta ktheu për rishqyrtim në Kuvend disa ndryshimet e këtij duke gjetur, në vlerësimin e tij, shkelje si në procedurën e ndjekur për miratim, ashtu edhe në përmbajtjen e ndryshimeve.
Për çfarë bëhet fjalë? Qëllimi i këtij ligji me tre nene është plotësimi i kuadrit ligjor ekzistues mbi pronat e paluajtshme të shtetit, duke parashikuar dispozita për përkufizimin dhe identifikimin e bregut e detit. Një çështje kjo mjaft delikate, që ka sjellë një interpretim të gjatë edhe nga Presidenti Ilir Meta se pse duhet riparë si ligj.
Sipas kreut të shtetit, nga shqyrtimi i praktikës parlamentare të publikuar nuk rezulton që Këshilli i Ministrave t`i ketë kërkuar Kuvendit shqyrtimin e këtij ligji me procedurë të përshpejtuar, pasi siç evidentohet nga afatet që ka kontrolluar Presidenca, shqyrtimi i këtij ligji në Kuvend është realizuar vetëm brenda 7 ditëve.
Nuk kuptohet dhe justifikohet, sipas Presidentit, as qëllimi dhe as urgjenca e Këshillit të Ministrave si propozues, apo e Kuvendit si miratues, në miratimin e këtij akti ligjor me kaq urgjencë proceduriale dhe pa zhvilluar asnjë konsultim paraprak apo vlerësim të thelluar për një çështje kaq sensitive.
Sipas Presidentit, do të ishte e nevojshme që kjo ndërhyrje ligjore të realizohej me parashikime më të plota dhe të qarta ligjore, që të mos krijojnë më pas hapësirë për keqinterpretime në zbatimin në praktikë.
Ky ligj, sipas Metës, krijon një situatë të paqartë mbi atë që do të ndodhë me pronën pas vendosjes së tyre të mundshme nën regjimin e pasurisë që do të konsiderohet pronë publike e patjetërsueshme sipas dispozitave të ligjit në fjalë
“Mungesa e qartësisë së ligjit për të shprehur se çdo të ndodhë me këto pasuri,- nënvizon Meta, – krijon një terren të pasigurt dhe burim konfliktesh midis shtetit dhe individit, apo personave privatë me investitorë të ndryshëm në të ardhmen”.
Kësaj ndërhyrje legjislative, sipas tij, duhet t’i paraprinte edhe një studim i mirëfilltë teknik për të përcaktuar me material hartografik të gjithë atë pasuri të paluajtshme që konsiderohet si “bregu i detit” përgjatë gjithë vijës bregdetare në Republikën e Shqipërisë.
“Ky material hartografik do të duhej të miratohej dhe t`i bashkëlidhej ligjit. Vetëm në këtë mënyrë, do të kishim një kuadër ligjor të plotë dhe shterues i cili nuk do të linte asnjë shteg për interpretim dhe/apo zbatim të diferencuar, duke shkaktuar trajtim të pabarabartë apo diskriminues”, thuhet në argumentet e Presidentit.