KQZ e re, Alket Hyseni: Po punohet me ritme të shpejta

Deputeti i PS-së Alket Hyseni tha se po punohet me ritme të shpejta dhe se puna nuk është ndalur asnjëherë për ngritjen e strukturave të reja të zgjedhjeve.

Duke folur për ngritjen e KQZ-së, Hyseni tha se është vepruar në optimum të mandateve për shkak të daljes së datës së zgjedhjeve parlamentare dhe për të qenë shpejt me afatet, marrjen e vendimeve sa më të shpejta dhe organizimin e punës nga KQZ-ja e re.

Duke folur për djegien e mandateve të opozitës, Hyseni tha se “më në fund Partia Demokratike dëshmoi se ka gabuar në vendimmarrjen e saj për të lëshuar institucionet”.

“Tashmë e ka kuptuar dhe ka ardhur në institucione duke mos pasur asnjë mekanizëm tjetër. Iu krijua kjo mundësi falë tolerancës së mazhorancës për të krijuar institucione së bashku dhe për mos pasur kontestime për zgjedhjet parlamentare”, tha Hyseni.

Përsa i përket ndryshime të tjera në Kodin Zgjedhor në funksion të zgjedhjeve parlamentare, Hyseni tha se këto ndryshime duhet t’í kishim bërë më herët.

“Uroj që opozita të mos vazhdojë me zakonin saj të pushimeve pafund dhe gjumit të përhershëm e të zgjatur. Të ketë përgatitur edhe ajo qëndrimet e saj në mënyrë që tashmë që parlamenti është aktiv në sezonin e vjeshtës të përmbyllim sa më shpejt, mundësisht me procedurë të përshpejtuar këto ndryshime në Kodin Zgjedhor”, u shpreh ai.