“S’ka marrëveshje me Greqinë”/ Rama flet sërish për çështjen e detit: Grupi negociator duhet të riformatohet

TIRANË- Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish për çështjen e detit. Teksa ndodhej në Shijak ku ndoqi nga afër procesin për rindërtimin e banesave nga tërmeti i 26 nëntorit, kreu i qeverisë deklaroi se nuk ka asnjë marrëveshje me Greqinë për detin dhe se negociatat janë ndërprerë që kur atje u ndryshua qeveria. Rama sqaroi se grupi negociator duhet të riformatohet, i cili sipas tij do të kalojë patjetër nga Presidenti për të marrë besimin.

BISEDA: 

Ahmetaj: Të gjitha grantet përveç grantit 2,5 mln të Greqisë janë të përfunduara proceduarat dhe ka nisur zbatimi në terren. 

Rama: Mund të jetë konsipracion për detin… se është për të vënë duart në kokë se ka njerëz që nuk besojnë dhe ata që e firmosën atë marrëveshjen e famshme i kanë dalë detit në mbrojtje nga ne. Kuptojeni të gjithë, s’ka marrëveshje nuk është arritur. Negociatat janë ndërprerë qysh kur u ndryshua qeveria në Greqi. Grupi negociator kalon edhe përmes Presidentit, duhet të riformatohet.  Të thuash sot bëj transparencë për diçka që nuk ekziston është qesharake dhe dashakeqase. Ky popull është i mencuar, kush e merr për budalla e pëson. Kjo është një tjetër arsye pse do ta pësojnë përsëri ata që duan ta bëjnë për budalla me këtë historinë e detit.

Ky reagim i Ramës vjen, pas deklaratës së kryeministrit grek, Kyriakos Mitsotakis. Mitsotakis, njoftoi pak ditë më parë se Greqia ka gati projektligjin për zgjerimin me 12 milje në Perëndim të Detit Jon, dhe për këtë do të vijë në Shqipëri edhe ministri i Jashtëm, Nikos Dendias. 12 miljet që do të merren nga Greqia, i përkasin ujërave të përbashkëta dhe jo atyre territoriale. Në zbatim të Konventës së Montego Bayt, Greqia, ashtu si çdo vend, ka të drejtë të zgjerohet me 12 milje në ujërat e përbashkëta. Shqipëria zgjerimin me 12 milje e ka realizuar që në vitin 1990. Por, sërish ky lajm është hasur në paqartësi në Shqipëri, për shkak edhe të konfuzionit për një marrëveshje për kufirin detar, (që mungon), mes dy vendeve.  Ndërkohë,  nga opozita nuk kanë munguar akuzat.