Shtrirje nga 6-12 milje në Jon, Rama flet sërish për detin: Marrëveshjet ndërshtetërore s’bëhen fshehurazi
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, nga Vjena e Austrisë ka folur sërish para mediave për shtrirjen territoriale të Greqisë nga 6-12 milje në Detin Jon. Shefi i qeverisë u shpreh se, kjo është një e drejtë e Greqisë dhe nuk cenon kurrsesi ujërat territorialë të Shqipërisë.
Sipas tij, të njëjtën gjë ka bërë Shqipëria në vitin 1990 duke e depozituar në Organizatën e Kombeve të Bashkuara shtrirjen territoriale, dhe që sipas tij, fqinjët tanë nuk e kanë kundërshtuar.
“Deklarata e kryeministrit (Kyriakos Mitsotakis) për zgjerimin e ujërave territoriale të Greqisë nuk ka lidhje me ujërat tanë territorialë. Nuk ka lidhje me marrëveshjen që ne po punojmë dhe nuk e kemi arritur ende me palën greke. Shtrirja në 6 milje plus në ujërat territorialë është një e drejtë e çdo vendi, këtë të drejtë Shqipëria e ka ushtruar, ne jemi shtrirë në ujërat tonë territorialë me 6 milje që në vitin 1990. Midis ujërave territorialë të vendeve ka ujëra të ndërmjetëm, njësoj siç ka rrugë midisi vendbanimeve dhe midis shteteve për të kaluar, ka edhe rrugë për të kaluar në det që janë rrugë të përbashkëta. Ajo që ndodh mes Turqisë dhe Greqisë, është një mosmarrëveshje për delimitimin e ujërave territorialë të njërit dhe tjetrit”, tha Rama.
I pyetur nga gazetarët për disa harta të publikuara nga ana e Greqisë për shtrirje territori, Rama dha këtë përgjigje:
“Hartat që dalin, siç dilnin harta që do copëtohej Kosova, apo siç dalin harta që si shtrihet Shqipëria përtej vetes, janë spekulime që nuk kanë lidhje me realitetin”, shtoi Rama.
Shefi i mazhorancës u shpreh se një marrëveshje mes dy shtetesh nuk bëhet dot fshehurazi. Duke u ndalur tek negociatat me shtetin grek për marrëveshjen e detit, Rama nuk dha detaje, por shtoi se bisedimet po karakterizohen nga një frymë konstruktive.
“Një marrëveshje ndërshtetërore nuk bëhet dot fshehurazi. Marrëveshja kalon në të gjitha etapat institucionale dhe bëhet ligj. Nuk është diçka që bëhet fshehurazi. Për sa i përket transparencës, për sa kohë jemi në negociata, negociatat nuk bëhen në popull. Puna e bërë me palën greke është një punë me frymë konstruktive. Atë që Greqia që po bënë tani, Shqipëria e ka bërë në vitin 1990″, shtoi ai.
Gjithashtu, Rama komentoi deklaratën e Presidentit Meta, i cili tha dje nga Vlora se për çështjen e detit do të respektojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Sipas Ramës, Meta duhet të mos shqetësohet pasi Greqia po ushtron të drejtën e saj ndërkombëtare, e cila buron nga e Drejta e Detit dhe kjo nuk ka lidhje me “gllabërimin” e ujërave të Shqipërisë.
“Ajo që unë di është që këtu: Presidenti duhet të informohet mirë dhe të bëjë atë që duhet të bëjë, sepse është aty dhe të mos ngatërrojë Kushtetutën e Shqipërisë me të drejtën e detit të Greqisë, që buron nga Konventa e të Drejtës së Detit dhe nuk ka lidhje me Shqipërinë. Mos ta ngatërrojë, mos të hedhë fjalën sikur ‘hajde të mbrojmë me mua Kushtetutën’, sepse këtu për fat të mirë të Kushtetutës, Presidenti nuk ka lidhje fare, sepse nuk hyn fare e drejta kushtetuese shqiptare në të drejtën e vendit fqinj për të ushtruar atë që i jep Konventa Ndërkombëtare dhe që nuk prek ujërat territoriale të Shqipërisë. Presidenti të jetë shumë i qetë, sepse nuk është rasti për të bërë “rafting me kushtetutën” dhe me një çështje të marrëdhënieve ndërkombëtare, dhe të fqinjësisë së mirë”, tha Rama.