Kakavija në kaos, kreu i Finiqit thirrje qeverisë greke: Hapni kufirin në Qafë Botë
Kryetari i Bashkisë Finiq, Kristo Kiço, ka reaguar në lidhje me fluksin e automjeteve në pikën kufitare të Kakavijës. Ai i ka bërë thirrje autoriteteve greke, që të hapin doganën e Qafë-Botës.
Sipas tij, kjo do të ulte ngarkesën në Kakavijë dhe do të lehtësonte kalimin e shqiptarëve në Greqi.
Prej ditësh në doganën e Kakavijës janë shënuar radhë të gjatë automjetesh. Shkak për radhët e gjata janë bërë rregullat e vendosura nga qeveria greke për kalimin e kufirit. Ditën e sotme, vargu i makinave shkoi deri në 12 km. Pleq, të sëmurë dhe fëmijë të vegjël prisnin me orë të tëra nën diellin përvëlues, për të kaluar përtej kufirit. Ndërkohë në orën 10:00, dogana e Kakavijës ndërpreu punën.
Me shtimin e rasteve të COVID-19 në vendin tonë, Greqia la të hapur vetëm Kakavijën dhe Kapshticën, ndërsa i mylli pikat e tjera kufitare.