INVESTIGIMI/ Si u ndërtua në zonë të mbrojtur fshati turistik “Green coast”. Favorizimi në kurriz të pasurisë së mbrojtur publike
Fadromat punonin poshtë Qafës së Llogorasë, në shpatin jugor të Karaburunit. Në vetëm pak orë, një lisnajë e moçme, prej disa qindra metra katrorë, me gjelbërim të përhershëm, u fshinë, njëherë e përgjithmonë, duke nxjerrë në pah një sipërfaqe shkëmbore me ngjyrë të kuqe. Një hapësirë e gjelbër, afro 1 ha, po shndërrohej në venddepozitim dherash, që do të mbërrinin nga ndërtimi i një megaresorti që ka fituar statusin “Investues Strategjik”; një hektar më shumë, midis qindra të tjerëve, të flijuar, tragjikisht, veçanërisht në këtë dekadë, në emër të privatizimeve, të projekteve energjitike dhe tani, së fundi, ne emër të të projekteve turistike. Rezidenca “Green Coast”, e pozicionuar në portën hyrëse të Rivierës Shqiptare, me sipërfaqe të përgjithshme prej 21 ha, krahas natyrës, po shndërron, përgjithmonë, peizazhin e Luginës së Palasës.
Inxhinierët urdhëruan fadromat që “të pastronin” pyllin në veri të kantierit. Ka mundësi që në atë moment, fadromistët të mos e kenë ditur se kjo ishte ende një ndërhyrje e paautorizuar prej autoriteteve. Imazhet e fotografuara nga sateliti, të regjistruara në Google Earth Pro, tregojnë se sipërfaqja ku po ngrihej venddepozitimi ishte gërmuar qysh në ditët e para të 2020-s, ndërkohë që miratimi për të u dha disa muaj më vonë.
Por kishte edhe diçka tjetër, akoma më të pazakontë: ndërhyrja po bëhej në një zonë me një status të veçantë mbrojtjeje, çka e bënte operacionin e depozitimit të dherave, dy herë të pamundur. Por, siç do të shohim, ndërtimi i këtij venddepozitimi, ende i pamiratuar prej autoriteteve dhe, për më tepër, në brendësi të një territori të mbrojtur, nuk ishte shkelja e vetmje.
Dokumentat dëshmojnë për një transaksion komunikimesh, mes grupeve me interesa të ndryshme, që dakortësohen “lehtësisht”, në dëm të pronës publike. Shkëlqimi i të ashtuquajturit investimi më i rëndësishëm turistik, përgjatë bregdetit Jonian, shuhet në gropën e dherave që kompania “Green Coast” ka depozituar brenda një territori të mbrojtur.
Në një vështrim të përgjithshëm, kjo është historia e shkatërrimit të pasurisë së përbashkët, sipas një modeli të njohur, i zbatuar kryesisht në vitet e fundit, prej mungesës së monitorimit, mungesës së kontrollit dhe mosinspektimit institucional.
“Green Coast” ka për investitor “Balfin Group”, një korporatë financiare që bashkon disa kompani, ku përfshihen dhe dy prej qendrave më të mëdha tregtare, QTU dhe TEG.
Në 2014-n, Këshilli i Kombëtar i Territorit (KKT) i dha kompanisë “Green Cost”, të drejtën për të ndërtuar, mbi 500 rezidenca private në Palasë, fillimisht, në një sipërfaqe totale prej 18 ha, si dhe të drejtën e përdorimit, për njëzet vjet, të brigjeve në Plazhin e Dhralesë.
Tre vjet më pas, KKT-ja miratoi një tjetër leje. Kompania fitoi të drejtën për të shtuar edhe nëntë vila të tjera, por dhe një hotel njëqind e njëzet dhomash me pesë yje. Sipërfaqja e truallit u zmadhua me tre hektarë, ndërsa koeficenti i shfrytëzimit për ndërtim, me 30%. Numri i kateve mbi tokë, u rrit me një, ndërsa, nën tokë, deri në tre. Për shkak të intesitetit të shtuar, volumi i gërmimeve dhe për pasojë, ai i dherave, u zmadhua. Është ky momenti kur “Green Coast” kërkon një zgjidhje për depozitimin e tyre.
Tani për kompaninë ekzistonte vetëm një shqetësim: 43,000 m3 inerte duhej të depozitoheshin diku dhe natyrisht, me një kosto sa më të ulët.
Kompania trokiti në Bashkinë e Himarës, përmes një kërkese, e cila, siç dëshmohet, kishte trajtën e një propozimi konkret. “Green Coast” kërkonte të siguronte miratimin në parim për një vend të përkohshëm për hedhjen e dherave dhe se në bashkëpunim me disa ekspertë mjedisi, vetë ajo (kompania) kishte evidentuar një zonë për depozitimin e tyre. Sipas ekspertëve, zona në fjalë ishte konsideruar alternativa më e përshtatshme, referuar kritereve mjedisore, të cilat zvogëlonin ndikimin në mjedis. Kërkesa u shoqërua edhe me hartën topografike të zonës së përzgjedhur. Përgjigjja mbërriti pas tre muajsh: kërkesa ishte miratuar.
Por territori i vlerësuar si “një alternative e përshtatshme”, nuk ndodhej në bashkinë e Himarës. Koordinatat e propozuara nga kompania binin në një tjetër territor, në atë të Vlorës. Ky fakt është lehtësisht i verifikueshëm, përmes Gjeoportalit Kombëtar të të Dhënave (ASIG). Bashkia e Himarës, si çdo bashki tjetër, nuk mund të vendosë për territore të tjera, të cilat ndodhen jashtë juridiksionit të saj. Por kjo “ngatërresë” kaloi në heshtje.
Përvijimi i mëtejshëm i procedurës kërkonte përfshirjen e një autoriteti tjetër. Ky ishte “Agjencia Kombëtare e Mjedisit” (AKM). AKM-ja duhej të miratonte raportin e Vlerësimit të Ndikimit në Mjedis (VNM), një dokument ekspertësh, i komisionuar nga kompania (Porositësi), që vlerësonte ndikimet e pritshme në mjedis, gjatë zbatimit të projektit. Pa këtë raport, operacioni i depozitimit nuk mund të fillonte. Kompania s’mund të lëvizte asnjë metër kub dhe.
“Green Coast” kontraktoi “EMC Studio”, ekspertët e së cilës, hartuan raportin. Por “EMC Studio” bëri të njëjtin gabim, duke e rivlerësuar si territor të Himarës. Diku në raport, midis rreshtave, shkruhej një pohim i mjegullt: harta e re u përkiste dy njësive të ndryshme administrative, çka nënkuptonte një ndarje mes Vlorës dhe Himarës. Por edhe ky ishte një vlerësim i gabuar.
Sidoqoftë, Agjencia Kombëtare e Mjedisit kishte kapacitetin dhe mundësinë për kuptuar se koordinatat e referuara, nuk ndodheshin në Himarë, por në Vlorë. Kësisoj, miratimi fillestar, nga ana e Himarës, sado dashamirës, do të konsiderohej i pavlefshëm. Por jo! As AKM-ja nuk e pikasi këtë “ngatërresë. Ajo anashkaloi disa procedura, shpërfilli një numër dokumentash dhe autoritetesh, për të cilat, ligjërisht, kishte detyrimin për t’i respektuar e për t’i zbatuar, gjë e cila bëri që “gafa” me koordinatat të kalonte, përsëri në heshtje.
Në 2015-n, qeveria miratoi rregullat dhe përgjegjësitë për zhvillimin e procedurës së VNM-së. Dokumenti synonte përafrimin e plotë të Direktivës së Parlamentit Europian lidhur me ndikimin e projekteve publike dhe private në mjedis. Fjala është për Vendimin Nr. 686, (2015), “Për miratimin e procedurës së VNM-së”. Vendimi detyron AKM që, përpara vendimmarrjes, të kërkojë mendimin e agjencive rajonale mjedisore në qarkun ku propozohet të zbatohet projekti. Procedura ndihmon, së pari, për të verifikuar, drejtpërdrejt në terren, të dhënat fiziko-gjeografike të projekteve të propozuara. Ne i kërkuam Agjencisë (AKM) të dhëna lidhur me zbatimin e kësaj procedure. Por AKM-ja pranoi se nuk ishte kryer asnjë verifikim lidhur me vendndodhjen e projektit.
AKM-ja shkoi më tej, duke anashkaluar dhe një procedurë tjetër: konsultimin publik.
Vendimi Nr. 247, (2014), “Për përcaktimin e rregullave dhe përfshirjen e publikut në vendimmarrjen mjedisore”, detyron Agjencinë të informojë dhe të konsultohet me publikun, përmes publikimit të projektit të paraqitur nga zhvilluesi, në web-in zyrtar të Agjencisë për 20 ditë rresht. Edhe në këtë rast, AKM-ja nuk publikoi asgjë.
Në fund, shpërfillja e AKM-së devijoi në një drejtim të ri: në planifikimin e territorit.
Duke “ngatërruar” njësitë administrative, përmes të njëjtave koordinata gjeografike, AKM çrregulloi një prej funksioneve bazë të “Vetqeverisjes Vendore”: rolin e bashkive në fushën e infrastrukturës dhe shërbimeve publike. Vendimi Nr. 575, (2015), “Për miratimin e kërkesave për miratimin e mbetjeve inerte” u jep të drejtë njësive të qeverisjes vendore për të caktuar venddepozitimet për mbetjet inerte. Nëse AKM-ja do të kishte saktësuar koordinatat e venddepozitimit, do të ishte bashkia e Vlorës përgjegjëse për caktimin e një territori për depozitimin e dherave, por jo Himara. Bashkia e Vlorës nuk u pyet kurrë. Por ky veprim, pra, vendosja e bashkisë së Vlorës përpara ‘faktit të kryer’, nuk e pengon këtë të fundit nga e drejta për të reaguar. Ne e njoftuam bashkinë e Vlorës për këtë ‘grabitje territori’, por ajo nuk reagoi.
Por zona e përzgjedhur në raportin e EMC Studio, si më e mira për të depozituar dherat, e njëjta, për të cilën, bashkia e Himarës dhe kompania “Green Coast” ishin dakortësuar qysh përpara, ishte pjesë e Rrjetit të Zonave të Mbrojtura të Shqipërisë. Territori ishte klasifikuar si Rezervat natyror i menaxhuar/park natyror (kategoria IV) dhe Ligji 81/2017 “Për Zonat e Mbrojtura”, ndalonte depozitimin e mbetjeve për të gjtha kategoritë e zonave të mbrojtura, përfshirë edhe nënzonat me shkallë të ulët mbrojtjeje.
Pengesa dukej e pakalueshme, por AKM-ja nuk u ndal! Ajo kërkoi mendimin e Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura, ndonëse ishte e panevojshme dhe jo e rregullt prej saj, pasi jo vetëm Ligji “Për Zonat e Mbrojtura”, por edhe Vendimi Nr. 575, (2015), “Për miratimin e kërkesave për miratimin e mbetjeve inerte”, në pikën 17, e ndalonte ndërtimin e vendepozitimeve të përkohshme të mbetjeve inerte pranë zonave të mbrojtura. Vendimmarrja e AKM-s mund të jetë e ndryshme nga opinionet e institucioneve të konsultuara, por, në të gjitha rastet, duhet të mbetet e ligjshme. Në fakt, ndodhi e kundërta. Siç nuk pritej, AKZM-ja vendosi në favor! Ajo shprehu dakortësinë për t’i mundësur kompanisë shfrytëzimin e venddepozitimit të dherave brenda kufijve të zonave të mbrojtura. Dhe AKM-ja u mbështet në këtë dakortësi.
Por le të shohim se në ç’argumenta mbështetej ky vendim nga ana e AKZM-së.
AKZM-ja justifikohet me faktin se gjatë procesit të rishikimit të zonave të mbrojtura, u vendos ndryshimi i kufirit jugor të Rezervatit natyror të menaxhuar, për shkak të lejes së dhënë nga KKT-ja për ndërtimin e Rezidencës “Green Coast”; kësisoj, sipas saj, territori i propozuar mund t’i kalonte kompanisë në përdorim, pasi në të ardhmen zona mund të mbetej pa një status mbrojtës. Ndërsa argumenti i dytë, lidhej me disa paqartësi të hartave të ekonomive pyjore dhe kullosore, ndërmjet dy bashkive. Në përfundim, AKZM-ja shprehej në favor të ndërtimit të landfillit, brenda territorit të mbrojtur.
Le t’i shqyrtojmë argumentat me radhë!
Studimi i rishikimit të kufijve të zonave të mbrojtura u zhvillua një vit më parë. Është e vërtetë se disa prej kufijve u propozuan të ndryshonin. Materiali, i përgatitur nga ekspertët dhe organizatat mjedisore më të dalluara të vendit, u dorëzua në Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit, në dhjetor 2019-s. Por, nëse shohim hartën përfundimtare, pas rishikimit, sipërfaqja e Rezervatit nuk është reduktuar, madje, shihet një shtesë përgjatë vargmalit të Çikës, në pjesën e sipërme të tij. Pra, kufiri nuk ka ndryshuar. Kësisoj, AKZM ka lejuar ndërtimin e një landfilli në një zonë e cila mbrohet, ndër të tjera, edhe për të mos ndërtuar një landfill. Nga ana tjetër, argumenti i AKZM-së se rënia e statusit po imponohej prej lejes zhvillimore të “Green Coast”, hedh poshtë tërë procesin e rishikimit të kufijve, që u pretendua se u krye mbi kritere shkencore vlerësimi e jo nën presionin e zhvillimit. Ky pohim meriton vigjilencë prej grupeve mjedisore, kur studimi të mbërrijë për miratim në Këshillin e Ministrave. Rreziku se një pjesë e zonave të mbrojtura mund të bien, jo prej mospërmbushjes së kritereve të natyralitetit, por prej kërkesave të korporatave investitore, është i dukshëm dhe tashmë, i pohuar zyrtarisht.
Së fundi, lidhur me paqartësinë mes kufijve ndërmjet bashkive, ato ishin përcaktuar përfundimisht, me shpalljen e kufijve të rinj bashkiakë dhe ishin miratuar, nëpërmjet dokumentave të Planeve të Përgjithshme Vendore (PPV). Kjo pengesë nuk ekzistonte.
Agjencia Kombëtare e Mjedisit, miratoi kërkesën e kompanisë “Green Coast” në 16 prill 2020, në kulmin e kufizimeve publike për shkak të Pandemisë. Ironikisht, ajo vendosi në favor të mendimit të bashkisë së Himarës, që shprehte dakortësinë për një territor që nuk i përkiste, dhe të Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura, që lejonte të palejueshmen: ndërtimin e një landfilli në një zonë të mbrojtur.
Duke e pranuar propozimin e Himarës për përdorimin e territorit të Vlorës, AKM nxiti shfrytëzimin e një hapësire të pamiratuar nga Plani i Përgjithshëm Vendor si një landfill. AKM-ja miratoi raportin e VNM-së pa kryer verifikimet dhe kontrollet, ligjërisht të detyrueshme, në terren.
Lidhur me mungesën e inspektorëve rajonalë, ajo u mjaftua duke na thënë, se agjencia rajonale kishte qënë në kushtet e pamundësisë për të kryer verifikimet e duhura për shkak të ekzistencën së kushteve të vështira, por pa përmenduar se cilat kishin qënë dhe se, çfarë e motivonte këtë pamundësi, ndërkohë që në të njëjtën periudhë (mars-prill), prezenca e inspektorëve është konfirmuar në të tjera projekte të ngjashme. Sepse, ndonëse në kushtet e emergjencës, ligjërisht, puna e Agjencive Rajonale nuk u ndërpre asnjëherë. Kështu, mungesa e inspektorëve favorizoi një aktivitet të paligjshëm në dëm të një territori të mbrojtur. Duke qënë në terren, inspektorët e AKM-së mund të kishin denoncuar edhe ndërhyrjen e konstatuar permes pamjeve satelitore, qysh përpara miratimit të raportit, madje mund të kishin njoftuar Inspektoriatin e Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit që të vepronte.
Nëpërmjet “dakortësisë” së shprehur në Vendimin Nr. 24 të VNM-së Paraprake, investitori strategjik “Green Coast”, përfitues i një numri nismash ligjore mbështetëse, që çlironin kompaninë prej disa detyrimeve fiskale dhe përjashtimit prej taksave korporative, sapo kishte fituar ‘bonusin’ për shfrytëzimin e një territori të mbrojtur, si landfill për të depozituar mbetjet inerte që buronin prej aktivitetit të tij ndërtimor.
Fryt i një procedure shkresore burokratike, e kombinuar me një interpretim të pambështetur ligjor, vendimmarrja e dy institucioneve më të fuqishme mbrojtëse të mjedisit (AKM dhe AKZM), shkarkoi strukturat vendore nga përgjegjësia për trajtimin e mbetjeve dhe kompaninë prej kostove financiare. Në cilësinë e ‘Zotëruesit të mbetjeve inerte’ (VKM 575, 2015, Neni 15), “Green Coast” duhej të paguante për çdo ton/mbetje që do të depozitonte. Nëntorin e shkuar, kur kompania iu drejtua Himarës, ajo përmendi 43000 m3 dhera . Referuar tregut të depozitimit (350 L/ton, si mesatare), kryesisht, në Tiranë, si dhe manualeve të ndërtimeve civile, ku raporti mes volumit dhe peshës kushtëzohet prej lagështisë së dheut (në rastin konkret: 1 m3 = 1.3 ton), depozitimi i inerteve, mund t’i kushtonte kompanisë, rreth 160,000 Euro. Këto para duhej të derdheshin në arkën e pushtetit vendor, e cila, gjendet shpesh në pamjaftueshmëri financiare për të rehabilituar habitatet e degraduara nga shfrytëzimi prej kompanive apo prej korporatave private.
Por kompania nuk po favorizohej vetëm për depozitimin e dherave. Prerja e drurëve në një hapësirë te gjelbër, rreth 1 ha, ku 65% e sipërfaqes është pyll i vjetër lisash, shkakton një dëm, vlera e të cilit mund të llogaritet në disa mijëra euro. Natyrisht, asnjë prej zyrtarëve nuk do ta marrë përsipër shlyrjen e tij. Në të kundërt përvoja ka treguar se shkarkimi i dëmit, në kurriz të ‘së përbashkëtës’ ka qënë, i mundshëm, lehtësisht.
Depozitimi i dherave, ngjitur me kantierin, ishte dhe propozimi i parë i vetë kompanisë, kundrejt tre alternativave të tjera, të ndodhura në një distancë më të largët, dy apo disa herë më larg.
“Natyrisht që alternativa e përzgjedhur mbështetej edhe në leverdinë financiare”, – tha inxhinieria Elidiana Shehu, administratore e “EMC Studio” që hartoi raportin e VNM-së.
Sidoqoftë, ai mbetej një miratim i paralajmëruar. Pasi në të vërtetë, shtrati i venddepozimit ekzistonte që në janar, ndonëse në raportin e miratuar nga AKM-ja konsiderohej ende një sipërfaqe farorësh dushku, mbi 50-vjeçarë. Pamjet në Google Earth Pro, konfirmojnë zhveshjen nga vegjetacioni natyror disa muaj më përpara. Lind pyetja: kush kishte ndërhyrë? Evidenca satelitore tregon se rruga e vetme për mbërritjen e makinerivë të ndërtimit zinte fill në brendësi të resortit “Green Coast”.
Kompania “Green Coast” nuk pranoi asnjë shkelje. Administratorja Çeljeta Apostoli u shpreh se “kemi respektuar legjislacionin dhe institucionet shtetërore”.
Ende pa u mbyllur muaji nga njoftimi për miratimin e venddepozitimit, një roje nga Agjencia Rajonale e Zonave të Mbrojtura (ARZM), vuri re, në kufirin jugor të Parkut Natyror, ngjitur me resortin “Green Coast”, gjurmën e një traseje të freskët rruge e cila përfundonte në një shesh me vegjetacion të shkatërruar, fare pranë pllakave shkëmbore të bregut. Dëmi ishte evident: rreth 150 m2 shkurrishte mesdhetare, pjesë e zonës së mbrojtur, ishin gërryer deri në shkëmb. Agjencia bëri një kallëzim në Drejtorinë e Policisë së Qarkut të Vlorës dhe njoftoi kompaninë “Green Coast” për dëmin e shkaktuar, por kompania e mohoi përfshirjen. Edhe në këtë rast, mundësia e vetme për hapjen e trasesë ishte lëvizja e fadromave përmes kantierit. Ndërkohë që dy mundësitë e tjera, nga deti dhe ajri, mbeteshin teorike.
Pas dy javësh, ne mbërritëm në Plazhin e koncesionuar të Dhralesë, për të parë nga afër venddepozitimin.
Fadromat po sheshonin një sipërfaqe të rrumbullakët, e ngjashme me pistën e një helikopteri. Krahët hidraulikë punonin shpejt dhe me ritëm të njëjtë. Një tjetërlloj makinerie, në formën e një çekiçi godiste sipërfaqen shkëmbore, në të majtë të resortit, duke hapur një themel të ri.
Jo larg pllakave shkëmbore, përgjatë shpatit të gërryer, disa biologë vështronin të kërrusur, ndoshta dhe nga pesha e çantave të shpinës, shkorretat, duke eksploruar bimët.
“Shikoni!”, tha njëri prej tyre. “Është rrethuar nga të gjitha anët, me pemë. Kjo tregon së më parë, këtu ka pasur një pyll. Por ata e kanë prerë për të hedhur dherat”, – konstatoi, duke treguar venddepozitimin e dherave, jo pa keqardhje. Pak më tej, një tjetër biologe na tregoi disa bimë të rralla, dy prej të cilave, si një surprizë e këndshme rezultuan (dhe më pas u konfirmuan) se ndodheshin në Listën e Kuqe të Florës dhe të Faunës së Egër.
Kishim shumë pyetje, por njëra dukej më e drejtpërdrejtë. Përse të gjitha instituconet u bënë bashkë për t’i dhuruar një kompanie private, një pjesë nga e përbashkëta? Kush po i paguan në të vërtetë, kostot e ndikimit në mjedis për dëmin që shkaktojnë projektet përfituese të korporatave?
Qytetarët meritojnë më shumë sesa papërgjegjshmëria e zyrtarëve që zgjedhin të heshtin. Mbi kantier po ngrihej një pluhur i bardhë, por dallgët që përplaseshin fort në breg, mbysnin çdo zhurmë.
Marrë nga Porta Vendore