Kaloi ventingun, Komisioneri Publik ankimon vendimin për gjyqtaren e Apelit të Gjirokastrës
Komisioneri Publik ka ankimuar vendimin e KPK për Miranda Andonin, gjyqtaren e Apelit të Gjirokastrës e cila u konfirmua në detyrë.
Sipas Komisionerit Publik duhet një riçelje e hetimit gjyqësor për të tria kriteret e rivlerësimit pasi hetimi i KPK nuk ka qenë shterues.
NJOFTIMI NGA KOMISIONERI PUBLIK
Komisioneri Publik, brenda afatit ligjor, ushtroi ankim në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, pranë Gjykatës Kushtetuese, kundër vendimit nr. 257, datë 12.6.2020, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit, znj. Miranda Andoni, gjyqtare pranë Gjykatës së Apelit Gjirokastër.
Komisioneri Publik, pasi shqyrtoi vendimin nr. 257, datë 12.6.2020, vlerëson se përfundimet e arritura nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit për konfirmimin në detyrë të subjektit të rivlerësimit, znj. Miranda Andoni, nuk gjejnë mbështetje në prova dhe në ligjin e zbatueshëm, si dhe nuk bazohen në një hetim të gjithanshëm, të plotë dhe shterues.
Duke çmuar se ky vendim objekt ankimi shfaq mangësi në hetimin administrativ, konstaton se indiciet e dala nga aktet e administruara janë shkaqe të mjaftueshme ligjore për t’u paraqitur për shqyrtim, juridiksionit kontrollues dhe rivlerësues të Kolegjit.
Në këto kushte, Komisioneri Publik e vlerëson të nevojshme t’i kërkojë Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, që të riçelë hetimin gjyqësor për të tria kriteret e rivlerësimit, pasi rezulton se hetimi i Komisionit nuk ka qenë shterues në drejtim të indicieve të rezultuara nga institucionet.