FOTO/ Kthesa e famshme e Dhërmiut transformohet në “ballkon” natyror për të admiruar panoramën magjike
Tashmë turistët vendas e të huaj që kalojnë në rrugën e bregut të Jugut, mund të ndalojnë në kthesën e famshme të Dhërmiut, ku është ndërtuar një shesh për të admiruar panoramën magjike që ofrohet prej aty.
Kryeministri Edi Rama publikoi sot disa fotografi nga rehabilitimi i saj, pas prishjes së ndërtimeve pa leje.
“Kthesa e famshme e Dhërmiut, ku pasi u prishën ndërtimet pa leje mbi përrua e u rindërtua rruga e bërë copë. Ka përfunduar edhe sistemimi i shtratit të përroit, janë pastruar e sistemuar shtigjet e këmbësorëve për turistët që duan të ecin teposhtë”, – thekson Rama.
Kreu i qeverisë shprehet se aty është ndërtuar edhe një shesh me belvedere, për të ndaluar e admiruar panoramën magjike që mes dy kodrave e thith syrin drejt pafundësisë ku qielli puthet me detin.
Dhërmiu, i vendosur buzë detit Jon dhe në shpatet e maleve, midis gjelbërimit të ullinjve dhe agrumeve të shumta ka rilindur falë investimeve të kryera nga qeveria shqiptare për kthimin në identitet të tij.
Fshatit të 30 kishave monument kulture të kategorisë së parë në bashkinë e Himarës iu rikthyen vlerat historike dhe kulturore.