Deputeti Sarandës: Listat e hapura dhe koalicionet janë dy gjëra që nuk mund të qëndrojnë bashkë

Ndryshimet e fundit në Kushtetutë të propozuara nga mazhoranca, që parashikojnë listat e hapura dhe heqjen e koalicioneve si dhe votimi në parim i ndryshimeve në kodin zgjedhor kanë rikthyer përplasjet në skenën politike shqiptare, me akuza dhe kundër akuza mes qeverisë dhe opozitës

Deputeti i Partisë Socialiste, njëkohësisht anëtar i Komisionit të Ligjeve, Alket Hyseni tha për Euronews Albania se qeveria është gati të çojë në parlament të dyja nismat paralelisht, qoftë atë për ndryshimet kushtetuese, edhe atë për ndryshimet në kodin zgjedhor në bazë të marrëveshje së 5 qershorit.

Z. Hyseni e cilësoi të kotë diskutimin që është duke u bërë lidhur me listat e hapura, të cilat siç tha janë diçka që i përkrah 80 për qind e shqiptarëve, ndërsa shpjegoi se këto të fundit nuk mund të bashkëqëndrojnë me koalicionet.

“Çështja e koalicioneve s’ka lidhje me sistemin tonë, ne po e përmirësojmë kushtetutën. Shqipëria ka sistem rajonal proporcional me korrektim, duke i futur listat e hapura ne i japim të drejtë qytetarëve të zgjedhin vetë deputetët dhe kjo nuk shkon me koalicionet. Koalicionet janë të lejueshme nëse garojnë në një listë të vetme në një sigël të vetme”, tha z. Hyseni.

I pyetur lidhur me kundërshtimin që opozita po i bën këtyre nismave të mazhorancës, z. Hyseni u shpreh se pavarësisht bojkotit të opozitës, Shqipëria ka një parlament legjitim, që funksionon përtej dëshirës politike të forcave të ndryshme politike “dhe të dikujt në kancelari të ndryshme” të cilët sipas tij, atë që “kërkojnë nga ne, s’e bëjnë kurrë në vendin tuaj”.

“Këshillin politik e bëmë me vetëdije të plotë politike dhe kombëtare, por askush nga ata faktorë, sado mbështetje të ketë në elektorat, nuk imponon dot institucionet e vendit”, tha deputeti i PS.