Basha zbulon ofertën e Ramës: Ti kryeministër, unë president
Kryedemokrati Lulzim Basha ka zbuluar ofertën e kryeministrit Edi Rama për të dakordësuar hapjen e listave që ndalon koalicionet parazgjedhore.
Basha thotë se përgjatë këtyre ditëve, Rama i ka dërguar ndërmjetës për të bërë pazar, deklaruar se ai e shikon reformën si një lojë me porta të vogla për të vjedhur Shqipërinë.
“Nuk ka konsesus për ndryshimin e sistemit. Vetëm një budalla mund të besojë që që tha sot Rama që pikat që ai do të ndryshojë paskan nevojë për konsultimet me opozitën.
Për kodin zgjedhor paska nevojë, për kushtetutën nuk e beson. Këtë nuk ka budalla në Shqipëri ta besojë. Për një muaj e gjysmë ai ka dërguar ndërmjetësit e tij me një mesazh, ti kryeministër, unë president vetëm të heqim koalicionet. Rama merakoset vetëm për pushtetin e tij.
Rama e shikon reformën si një lojë me porta të vogla për të vjedhur Shqipërinë. PD kurrë nuk e ka përjashtuar diskutimin për sistemin. Unë kam kërkuar një parlament me dy dhoma dhe dy valvula kontrolli. Rama kontrollon gjithë pushtetet dhe i përdor ato vetëm për pasurimin e tij”, tha Basha.