Basha: Në sekret të plotë qeveria po u jep oligarkëve një pjesë të territorit të bazës ushtarake në Sarandë
Kryetari i PD-së, Lulzim Basha denoncoi sot se një pjesë e territorit të bazës ushtarake në Sarandë po bëhet gati nga qeveria që t’u jepet oligarkëve. Basha u shpreh se fakti që po bëhet në sekret të plotë cenon sigurinë kombëtare, prandaj i bëri thirrje edhe Presidentit Ilir Meta që të investigojë.
“Në sekret të plotë, është marrë një pjesë e territorit e bazës ushtarake navale të marinës së flotës luftarake detare në Sarandë dhe është bërë gati t’u jepet klientëve të qeverisë. Mbetet të verifikohet se kujt do i jepet, por emrat e përmendur janë të dyshuarit e zakonshëm, pjesë e 5 apo 6 oligarkëve që marrin cdo gjë në këtë vend.
Shpresoj që të jetë një lajm i rremë, në radhë të parë sepse largimi i territoreve nga forcat e armatosura, nuk mund të bëhet në mënyrë sekrete, por transparente se cenon sigurinë kombëtare.
U bëj apel të gjitha institucioneve të sigurisë kombëtare, nga ato ekzekutive deri te komandanti i përgjithshëm i forcave të armatosura të investigojnë nëse është e vërtetë që në ditët e tyre të fundit po falin bazat detare oligarkëve për zhvillime klienteliste pa garë.
Ne nuk jemi kundër zhvillimit, zhvillimi ekonomik që sjell mirëqenie është objektivi i qeverisjes sonë, por kjo nuk mund të jetë fitimprurëse deri nuk bëhet transparente” tha Basha gjatë takimit në Divjakë.