Ambasada në Athinë ‘thyen’ heshtjen: Nuk jemi njoftuar për shkarkimin e ambasadores
Ambasada shqiptare në Athinë reagon për herë të parë dhe thotë se nuk është njoftuar ende për shkarkimin e ambasadores aktuale Ardiana Hobdari.
E pyetur nga BalkanWeb, në një reagim zyrtar ambasada shqiptare në Athinë sqaron se nuk ka njoftim zyrtar nga institucioni përkatës Ministria e Punëve të Jashtme dhe Europës në Shqipëri apo ndonjë institucion tjetër.
”Përshëndetje. Konfirmojmë se nuk ka asnjë njoftim zyrtar për sa i referoheni. Njëkohësisht, sqarojmë se procedura për dekretimin dhe ç’dekretimin e Ambasadorëve, është qartësisht e përcaktuar nga Kushtetuta e RSH dhe Ligji për Shërbimin e Jashtëm. Me respekt, Ambasada e RSH Athinë”- shkruhet në reagim.
Ditën e djeshme, u bë me dije se Gent Cakaj kishte shkarkuar ambasadoren shqiptare Ardiana Hobdari bashkë me stafin për shkak të performancës së dobët në shërbime, por sipas mediave greke edhe për humbjen e 100 pasaportave shqiptare në Athinë, shkurtin e 2019.
Po ashtu ministri i jashtëm në detyrë, Gent Cakaj ka propozuar edhe zëvendësuesen Luela Hajdaraga në vend të Ardiana Hobdarit. Por duket se Cakaj nuk ka njoftuar zyrtarisht Hobdarin për shkarkimin.