Adrian Gurma: Situata jashtë parashikimeve. Përveç fundjavave, ditët e tjera janë bosh 

Situata e pandemisë ka ndikuar drejtpërdrejt në sektorin e turizmit në vend. Sipas të dhënave të INSTAT, këtë vit, në Shqipëri kanë hyrë 63.4% më pak turistë se një vit më parë duke reduktuar ndjeshëm dhe të ardhurat për operatorët turistikë.

Kryetari i Bashkisë së Sarandës, Adrian Gurma tha për Euronews Albania se situata nuk është ajo që pritej.

Ai tha se ka një ngadalësim të ardhjes së turistëve gjatë javës, sepse fundjavave ka dyndje, ndërsa të ardhurit nga Evropa janë në numër minimal.

“0peratorët turistikë janë të parët që bizneset e të cilëve reflektohet kjo situatë. Kanë anulime të rezervimeve, kishin pritshmëri të tjera dhe kjo reflektohet edhe  në të ardhurat që sigurojnë. Pushteti lokal ka qenë në mbështetje të tyre. Parapërgatitjet për sezonin i kemi filluar që në nëntorin e  kaluar. Fakti që u gjendëm para një situate jo të zakontë i stopoi të gjitha përgatitjet. Në këtë situatë që jemi, me përjashtim të fundjavave, pjesa e ditëve të javës është shumë e vakët në raport me vitet e kaluara”, tha z. Gurma.

Kryebashkiaku i Sarandës u shpreh se ka pasur mirëkuptimin e bizneseve sa i përket aktit normativ që ndalon muzikën pas orës 20:00, ndërsa shtoi se shqetësimet e tyre i ka përcjellë tek instancat e caktuara me shpresën se do gjejnë zgjidhje.

Sipas tij, kjo javë do të jetë vendimtare për të parë se si do të jetë ecuria e sezonit për muajin gusht.