VIDEO/ Vittorio Sgarbi “rrezikon” mbytjen në Palasë, e shpëton e bija shqiptare

Vittorio Sgarbi njihet nga i gjithë publiku shqiptar, për simpatinë që ai ka për popullin shqiptar.

Por politikani dhe kritiku i njohur i artit ka kaluar disa momente frike të vërtetë pikërisht në bregdetin shqiptar, në plazhin e bukur të Palasës.

Italiani 68-vjeçar po kalon disa ditë në vendin tonë, duke vizituar disa nga vendet më interesante, në shoqëri të vajzës së tij Alba, mamaja e të cilës është shqiptare.

Sgarbi u tundua nga ujërat e kaltra të jugut, dhe përfitoi nga rasti për t’u futur në det. Por italiani, që shoqërohej edhe nga kryebashkiaku i Vlorës Dritan Leli, nuk kishte llogaritur rrymat dhe erën që frynë në atë zonë.

Nga video që qarkullon në rrjet dhe është shpërndarë nga të gjitha mediat italiane, duket qartë ujërat e qeta u shndërruan në pak sekonda në një det të rrëmbyer që përpiu italianin, që u ndihmua fillimisht nga vajza dhe më pas nga disa persona të tjerë që gjendeshin pranë.