VIDEO/ Butrinti u spërkat me helm kundër gjarpërinjve kur shkoi Hrushovi
Një kombinim perfekt i arkeologjisë me natyrën, Butrinti shënon destinacionin e dytë më të vizituar në Shqipëri pas Krujës. Por sipas studiuesit Auron Tare qyteti i vjetër ka nisur të vizitohet nga turistë që në kohën e kont Ugolinit. Ndërsa emra të njohur botërorë kanë kryer vizita në vite, e veçantë mbetet vizita e Hrushovit në Butrint.
“Ka një histori, që përpara se Hrushovi të vinte në Shqipëri, që erdhi me anijen Dajti, qëndroi në gjirin e Sarandës dhe me një skaf erdhi për të parë Butrintin. Dy javë përpara se të vinte, gjithë zona u spërkat me një helm kundër gjarpërinjve dhe për dy javë në të gjithë zonën dukeshin gjarpëinjtë që përpëliteshin”, tregoi gazetar Blendi Fevziu gjatë reportazhit mbi Butrintin.
Ndërkohë studiuesi Auron Tare u shpreh se ndoshta tashmë ka ardhur koha që në Butrint të reduktohet numri i turistëve pasi nuk ka një plan menaxhimi për ta.
“Butrinti është vizituar që në kohën e Ugolinit, ka qenë në itineraret që ka bërë Italia. Ugolini shkoi në vendet skandinave dhe e prmovoi. Pastaj pas lufte pati një periudhë, pastaj me grupet komuniste dhe ata pak të huaj që hynin me Albturizmin. Pas viteve 90 nuk kishte me vizitorë, ose shumë shumë të rrallë. Pati diçka nga vitet ’93 që vinin nga Korfuzi. Ndoshta pas Krujës është i dyti më vizituar dhe fatkeqësisht i ka ardhur koha të reduktohet numri i vizitorëve, sepse nuk ka një plan menaxhimi se çfarë duhet të bëhet. Në verë rruga është e bllokuar nga autobuzët, ka një rresht të gjatë njerëzish”, u shpreh Tare.
I pyetur se cilët janë personat më të famshëm që e kanë vizituar Butrintin, Tare tha:
“Konti Çiano, Hrushovi, Zhukovi, Malenkovi, nuk e di nga këta kinezët kush ka qenë po Sianuku besoj. Pas ‘90 pati atë periudhën e artë kur u përpoqëm ta bëjmë park kombëtar. Por atëherë nuk ishte interneti dhe kushdo që vinte, vinte në atë pjesën e vet të privatësisë, mund të kujtoj dukesha e Devënshajër, Lordi Kerington, është një listë shumë e gjatë, Wensteini i famshëm i filmave të Hollivudit, Kamila që folëm qëparë”.