Tre të arrestuar në Tepelenë, mbollën kanabis me njëri-tjetrin në Kurvelesh
Tre persona banues në Memaliaj, konkretisht në fshatin Salari, Tepelenë, janë arrestuar nga policia pasi akuzohen se në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë mbjellë bimë narkotike në një zonë të pyllëzuar, në vendin e quajtur ‘Kubuz’ të njësisë administrative Kurvelesh.
Nuk dihet saktësisht numri i fidanëve apo bimëve ose llojit të drogës që këta shtetas, K. Meca, Sh.Kondi dhe M.Kondi kanë mbjellë, por tani ata do të përballen në gjykatë me akuzën e ‘prodhimit të lëndëve narkotike’.
Njoftimi i policise
Shërbimet e komisariatit të policisë Tepelenë dhe ato të DVP Gjirokastër nën drejtimin e Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër, në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë operative dhe kontrollit të territorit, si dhe pas një hetimi disa javor, finalizuan me sukses operacionin “Kobuz”.
Si rezultat i operacionit u vunë në pranga shtetasit K. M., 29 vjeç banues në Memaliaj; Sh. K., 18 vjeç dhe M. K., 24 vjeç banues në fshatin Salari, Tepelenë.
Arrestimi i tyre u bë pasi nga tërësia e veprimeve hetimore dhe policore, u bë e mundur dokumentimi i veprimtarisë kriminale të kryer nga këta shtetas në drejtim të tentativës për të kultivuar kanabis.
Këta shtetas në bashkëpunim me njeri – tjetrin në vendin e quajtur Kobuz , në një zonë të fshatit Gusmar të Njësisë Administrative Kurvelesh, një një zonë të pyllëzuar, kishin kultivuar 92 fidanë narkotikë kanabis.
Policia gjeti dhe sekuestroi në cilësinë e provës materiale një automjet që përdorej nga këta shtetas, katër aparate celular dhe sende të tjera.
Kontrolli i territorit do vijojë pandërprerë me qëllim evidentimin, parandalimin dhe goditjen e cdo tentative për kultivim të bimëve narkotike.
Materialet në ngarkim të shtetasve të mësipërm i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.