Thirrja e Ministrit Sandër Lleshajt: Pushoni në Sarandë, nuk do zhgënjeheni
Sarandë – Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj zhvilloi një takim me kryetarët e bashkive Sarandë, Delvinë, Himarë, Finiq e Konispol, deputetët e qarkut Vlorë, përfaqësues e drejtues vendorë, Prefektin, drejtues të Policisë së Shtetit dhe IKMT, për të diskutuar për mbarëvajtjen e sezonit turistik, masat për mbrojtjen e mjedisit dhe kundër ndërtimeve pa leje, luftën antikanabis dhe çështje të tjera që lidhen me sigurinë.
Pjesë nga fjala e ministrit:
“Të vish në Sarandë, është gjithmonë një kënaqësi dhe ky takim pune është gjithashtu një rast i tillë.
Përfitoj nga rasti që nëpërmjet medias, t’u bëj një thirrje të gjithë shqiptarëve, brenda dhe jashtë vendit, që ta konsiderojnë Sarandën si një adresë për këtë sezon turistik, pasi pushimet për këtë vit mund të jenë nga më të mirat, pasi qyteti është mjaft i përgatitur, mjedisi është shumë i pastër dhe besoj nuk do të zhgënjehet askush nëse do ta vizitojë Sarandën dhe gjithë vendin në tërësi.
Sa i përket çështjeve të turizmit, është me rëndësi angazhimi i strukturave përgjegjëse për përgatitjen e kushteve, të cilat sivjet mund të jenë më të mirat e mundshme, sidomos për sa i përket pastërtisë së mjedisit”, u shpreh Lleshaj. /Sarandanews.com/