Shpërthimi i rasteve, ministria apel pushuesve: Kujdes në plazh, ashensorët dhe shezlonget

Pas shpërthimit të rasteve të reja me koronavirus në vendin tonë, Ministria e Shëndetësisë bën apel për respektim të masave nga sipërmarrjet turistike dhe pushuesit

Ajo thotë se vizitorët duhet të mbajnë maska si dhe të tregojnë kujdes në përdorimin e ashensorit duke ruajtur distancë.

Gjithashtu duhet të kryhet dhe dezinfektimi i krevateve të plazhit dhe aksesorëve të ndryshëm.

“Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale i drejtohet çdo sipërmarrje turistike dhe të gjithe pushuesve të zbatojnë protokollin e masave anti-Covid19 përgjatë gjithë sezonit.

Stafi i shërbimit, në kontaktet me pushuesit / vizitorët duhet të mbajë në mënyrë të domosdoshme maskat mbrojtëse. Në strukturat akomoduese duhet të ruhet distancimi fizik jo më pak se 1.5 metër.

Të zbatohen me rigorozitet masat e pastrimit dhe dezinfektimit në të gjitha zonat bufe, bare, restorante, kuzhina në të gjitha strukturat akomoduese.

Të tregohet kujdes në përdormin e ashensorit në strukturat akomoduese që e disponojnë atë, duke respektuar masat e distancimit dhe të higjienës.

Të kryhet dezinfektimi i krevateve të plazhit, shërbimeve higjienike dhe aksesorëve të ndryshëm në mënyrë periodike. Të respektohet hapësira midis çadrave dhe ndenjëseve të pushuesve në distancë jo më pak se 3.5 m dhe të evitohen grumbullimet shoqërore.

Kontaktoni nëpërmjet linjës së gjelbër 0800 40 40 për këshillim psikologjik, apo informacion për Covid19. Nëse dyshoni se jeni të prekur duhet të qëndroni të izoluar dhe telefononi në numrin e Urgjencës Kombëtare, 127″, deklaron MSH.