Sezoni turistik 1 qershor-15 nëntor/ Rregullat e marrjes së hapësirave për plazh nga hotelet dhe restorantet

Sezoni turistik këtë vit do të jetë nga 1 qershori deri më 15 nëntor, ndërsa nga dita e sotme ka nisur aplikimi në e-albania për plazhet private që do të zgjasë deri më 14 qershor.

Rregullat se si do të bëhet plazh dhe mënyra se si do të vendosen stacionet e plazhit në vijën bregdetare janë përcaktuar në vendimin e botuar sot në Fletoren Zyrtare.

Në  mbështetje të ligjit “Për turizmin”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Turizmit dhe Mjedisit, Këshilli i Ministrave vendosi që për vitin 2020, në kushtet e epidemisë së  shkaktuar nga COVID-19, hapja  e sezonit turistik si dhe dokumentacioni, procedura e miratimit, monitorimi për ushtrimin e veprimtarisë si stacion plazhi bëhen sipas parashikimeve të këtij neni.

Për mbarëvajtjen dhe monitorimin e veprimtarisë  së  sezonit  turistik  ngrihet  Komiteti  i Menaxhimit   të   Sezonit Turistik (KMST), që kryesohet nga ministri i Turizmit dhe Mjedisit dhe në  përbërje  të  tij ka  përfaqësues  të  nivelit  të  lartë nga: Ministria   e   Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Ministria e Mbrojtjes, Ministria e Brendshme, Ministria e Kulturës dhe Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural.

Detyrat e Komitetit të Menaxhimit të Sezonit Turistik janë: miratimi i hartës  së  stacioneve  të  plazheve si dhe plazheve publike, të cilat pajisen me një numër të veçantë identifikues,që publikohet në momentin e hapjes së aplikimit online, sipas listës së plazheve; monitorimi i mbarëvajtjes së sezonit  turistik 2020, si dhe koordinimi ndërinstitucional për respektimin  e  masave  në  kuadër  të  epidemisë  së shkaktuar nga COVID-19.

Në lidhje me stacionet e plazhit prioritare do të jenë subjektet që disponojnë një strukturë akomoduese që ndodhet në vijën e parë bregdetare dhe do të marrë hapësirën e plazhit para saj.

Më pas vijnë subjekti duhet të disponojë një strukturë akomoduese në afërsi të vijës bregdetare dhe në fund ata që do të marrin një stacion plazhi janë ato restorante që kanë një kapacitet shërbimi mbi 20 tavolina dhe që kanë hapësirë plazhi para strukturës.

Ndërkohë që çdo aplikues duhet të plotësojë një formular vetëdeklarimi se merr përsipër një stacion plazhi dhe të respektojë e mbajë përgjegjësi të plotë për plotësimin dhe zbatimin e masave anticovid; Krijimin e kushteve higjienike, Respektimin e hapësirave të vendosjes së çadrave sipas tipologjisë së plazhit, Vendosjen e sinjalistikës në stacionin e plazhit, Sinjalizimin e zonave të përdorimit të mjeteve lundruese për argëtim, Garantimin e sigurisë së jetës me vrojtues plazhi, përgjatë gjithë sezonit të ushtrimit të veprimtarisë së plazhit, Mirëmbajtjen e mjeteve dhe ambienteve të ndihmës së parë mjekësore dhe garantimin e protokolleve të sigurisë gjatë epidemisë Covid19, në përputhje me legjislacionin në fuqi.

Mosplotësimi i kushteve dhe kritereve ngarkon me përgjegjësi  administrative dhe/apo,  kur  është rasti, me përgjegjësi penale kur sjell pasoja të rënda për shëndetin.

Për zbatimin e këtij vendimit ngarkohen Ministria e Turizmit    dhe Mjedisit, Ministria  e  Shëndetësisë  dhe  Mbrojtjes Sociale, inspektorati përgjegjës  për  turizmin, inspektorati përgjegjës për shëndetësinë, Komiteti i Menaxhimit të  Sezonit  Turistik  (KMST), grupi teknik  i shqyrtimit  të aplikimeve (GTSHA),  njësitë e  vetëqeverisjes  vendore,  Agjencia  Kombëtare  e Bregdetit  si  dhe  Agjencia  Kombëtare  e  Shoqërisë së  Informacionit  (AKSHI).