Sërish pa drejtues Kadastra e Vlorës, dorëhiqet dhe Viola Hima që u komandua 4 ditë më parë
VLORË– Drejtuesja e Kadastrës së Vlorës, Viola Hima, e cila është komanduar në detyrë vetëm pak ditë më parë është dorëhequr.
Sipas informacioneve, mësohet se Hima është dorëhequr dhe në vend të saj do të komandohet një regjistrues tjetër.
Hima është komanduar drejtuese në Kadastrën e Vlorës, dhe zevendësoi drejtorin e dorëhequr Bilbil Aliaj. Edhe Aliaj nuk ka qëndruar gjatë në detyrë, pasi u komandua në 4 shkurt dhe u largua nga detyra në 22 maj.
Kjo situatë në Kadastren e Vlorës ka disa vite që vijon të mbetet e njëjtë, ku problemet e pronave nuk po marrin fund. Para Himës kanë qenë dhe 8 drejtorë të tjerë që janë larguar.
Aliaj ishte drejtori i radhës i këtij institucioni që kishte marrë përsipër të rregullonte konfliktin e pronave në këtë zonë. Ai erdhi në detyrë pas Taulant Canametin, i cili u komandua pas ‘furtunës’ në kadastrën e Vlorës. Përpara se të merrte këtë detyrë, Aliaj mbante postin e zv.drejtorit të dytë në këtë institucion.
Në 6 vitet e fundit Hipoteka e Vlorës është drejtuar nga: Taulant Canameti (nëntor 2019-shkurt 2020), Elona Hodaj (shtator 2019-tetor 2019), Alteo Nazëraj (shtator 2019-shtator 2019), Florian Almadhi (maj 2019-shtator 2019), Klodian Troci (korrik 2018–shtator 2019), Sokol Banaj (janar 2018–korrik 2018) dhe Rezart Elmazi (tetor 2015-korrik 2017).