Rikualifikimi urban i shëtitores në Sarandë/ Kryebashkiaku Gurma: Do të ketë parametrat e një Lungomareje
Në qytetin bregdetar të Sarandë, i cili gjatë sezonit turistik tërheq mijëra turistë vendas e të huaj, vazhdojnë me ritme të larta punimet për rikualifikimin urban të shëtitores “Naim Frashëri”.
Kryetari i bashkisë së Sarandës, Ardian Gurma, tha sot për ATSH-në se “punimet e filluara më 4 mars 2020 dhe të ndërprera për shkak të pandemisë, kanë rinisur dhe po ecet me ritme të mira. Janë përgatitur platformat e betonit dhe një pjesë e tyre janë zhytur në det duke krijuar gjerësinë e re të shëtitores. Deri tani janë betonuar 150 platforma (kesona)”.
“Ndërkohë vazhdon mbushja me material shkëmbor, për zgjerimin në fund të shëtitores. Kanë nisur punimet edhe për vendosjen e tubit 800 mm të ujërave të zeza, shtesë e kanalizimit ekzistues. Pritet të fillojë edhe vendosja e tubacionit për ujin e pijshëm”, – nënvizoi Gurma.
Kryebashkiaku Gurma u shpreh se “pas përfundimit shëtitorja e Sarandës do të ketë plotësisht pamjen dhe parametrat e një Lungomareje”.
Shëtitorja “Naim Frashëri” pritet të kthehet në një hapësirë publike shumëfunksionale dhe në shërbim të banorëve e pushuesve gjatë sezonit. Parashikohet restaurimi i fasadave në gjithë gjatësinë me qëllim përmirësimin e estetikës.
Gjithsesi në shëtitore do të mbizotërojnë elementë që e ruajnë identitetin e qytetit si për shembull porta hyrëse e Onhezmit, skulptura të realizuara nga artistë lokalë, sheshi i shatërvanit, pemët ekzistuese dhe zonat e gjelbra, pishina e hapur, etj.