Rikonstruksioni i rrugës nga Borshi në Kala/ Kryebashkiaku Goro: Mundësi alternative për turizmin, punimet përfundojnë javën tjetër

ikonstruksioni i rrugës nga Borshi në Kala, 1150 m e gjatë, pritet të përfundojë së shpejti.

Kryetari i bashkisë së Himarës, Jorgo Goro, tha sot për ATSH-në se “rikonstruksioni i rrugës turistike qendër Borsh–kalaja e Borshit me gjatësi 1150 m, ka një vlerë investimi prej 91 300 000 lekë”.

Sipas tij, javën që vjen fillon shtrimi me asfalt i rrugës duke bërë të mundur edhe përfundimin e saj.

“Kjo rrugë do të përmirësojë aksesin në një nga atraksionet historike kulturore të bregdetit të jugut, duke ofruar një mundësi alternative për turizmin në këtë zonë me aktivitet të lartë turistik”, – tha Goro.

Projekti ka bërë të mundur ndërhyrjen thelbësore në nënshtresat profilime dhe asfalt, kuneta betoni në të 2 krahët dhe një krah trotuar në zonën e banuar.

Projekti ka parashikuar gjithashtu ndërtimin e mureve mbajtëse dhe pritëse sipas relievit të rrugës, punimet për disiplinimin e ujërave, ndriçimin në zonën e banuar si dhe sinjalistikë vertikale dhe horizontale.

Kalaja e Borshit (ose Kalaja e Sopotit siç njihet në histori) ndodhet mbi një kodër të fshatit Borsh, që është 500 m mbi nivelin e detit dhe daton rreth shekullit IV-III p.k.

Në mesjetë kjo Kala njihej si Kalaja e Sopotit, ku përmendet dhe në kujtimet e Ana Komnenës, vajzës së Perandorit të Bizantit Aleksi I Komnenai në vitin 1192. Në periudhën e Ali Pashë Tepelenës u ndërtua dhe një xhami, që sot është në gjendje të mirë, paçka se minareja është rrëzuar.