Regjistrimi i pronave në Bregdet në 2 faza, dokumentet për të marrë tapinë për 45 ditë

Përfitojnë pas hapjes së procesit banorët në Palasë, Dhërmi,Vuno,Lukovë,Gjilekë, Ilias, Himarë, Nivicë

Dy ditë pas shpalljes së vendimit për regjistrim të pronave në Bregdetin e Jonit nga Agjencia e Kadastrës, më poshtë procedura e regjistrimit të këtyre pronave që do të zhvillohet në dy faza.

Regjistrimi i pronave në bregdet ka qenë një procedurë e bllokuar deri në qartësimin e titujve të pronësisë.

Kadastra nisi këtë të hënë zyrtarisht këtë proces dhe u njoftua se do të trajtohen rreth 16 .500 pasuri private edhe 5200 prona shtetërore dhe pritet të përfitojnë rreth 8 mijë banorë. Procesi do të trajtojë toka të përfituara nga ligji 7501 nga viti 1991, shtëpitë e vjetra tradicionale, objekte në proces legalizimi e kështu me rradhë.

Regjistrimi

Regjistrimi fillestar i pasurive të paluajtshme konsiston në pasqyrimin e çdo pasurie të paluajtshme, shtetërore, publike dhe private të zonës kadastrale në kartelën përkatëse të pasurisë dhe hartën kadastrale. Ky proces zhvillohet në dy faza, ku faza e parë përfshin procesin e informimit të publikut, banorëve të zonës kadastrale për rëndësinë e këtij procesi dhe etapat e tij.

Në këtë fazë është i rëndësishëm bashkëpunimi i popullatës me grupet e verifikimit/matjeve në terren të pasurive duke saktësuar kufijtë e pasurive të paluajtshme. Matjet faktike dhe dokumentacioni i mbledhur trajtohen në zyrë për krijimin e hartës kadastrale dhe pasqyrimin në kartele të të dhënave të pasurive të paluajtshme. Ky produkt i nënshtrohet afishimit publik 45-ditor ku banoret dhe titullmbajtësit verifikojnë të dhënat e pasurive te tyre si mbajtja e ankesave përkatëse. Pas përfundimit të afishimit publik trajtohen ankesat përkatëse dhe kthim përgjigje. Më pas vijohet me ngarkimin në sistemin digjital të pasurive të paluajtshme të produktin përfundimtar.

Rendi i veprimeve:

  1. Informimi publik gjatë gjithë procesit
  2. Mbledhja e dokumentacionit
  3. Verifikimi në terren
  4. Përgatitja e hartës dhe kartelës së pp
  5. Afishimi 45 ditor (verifikime)
  6. Marrja e certifikatës së pronësisë

Lista e dokumenteve qe duhen

  1. Kontratat për kalimin e pronësisë së sendeve të paluajtshme dhe aktet për pjesëtimin vullnetar të tyre (kontratë për kalim pronësie, kontratë shitje prone, kontratë dhurimi, kontrata e shkëmbimit, kontratë pjesëtimi, akt marrëveshje për pjesëtimin e pasurisë së përbashkët,etj).
  2. Vendimet e organeve kompetente shtetërore, që përkatësisht përmbajnë fitimin ose njohjen e pronësisë mbi pasuritë e paluajtshme, AMTP, leje legalizimi, vendime për kalim pronësie, vendimi i komisionit të kthimit të pronave, leje ndërtimi etj.
  3. Kontratat me të cilat krijohen, njihen, ndryshohen ose pushojnë të drejta pronësie mbi sendet e paluajtshme, të drejta uzufrukti, përdorimi e bujtjeje, emfiteozë e servituti e të drejta të tjera reale (kontratë uzufrukti, huapërdorje, servitute, kontratë sipërmarrje, kontratë porosie, etj).
  4. Aktet me të cilat hiqet dorë nga të drejtat pasurore (deklaratë noteriale për heqje dorë nga trashëgimia, deklaratë për heqje dorë nga prona, etj).
  5. Vendimet e gjykatave me të cilat njihet cilësia e trashëgimtarit dhe fitohet pasuria e trashëguar (vendim gjykate për dëshmi trashëgimie ose vendim noteri).
  6. Aktet me të cilat krijohet një shoqëri ose një subjekt tjetër i së drejtës që ka në pronësi pasuri të paluajtshme ose gëzon të drejta të tjera reale mbi to.
  7. Vendimet e gjykatave që përkatësisht përmbajnë fitimin ose njohjen e pronësisë mbi pasuritë e paluajtshme, pjesëtimin e pasurive të paluajtshme ose që deklarojnë të pavlefshme veprimet juridike për kalimin e pronësisë të regjistruar më parë rregullisht, si dhe aktet e përmbarimit gjyqësor për sekuestrimin e pasurisë së paluajtshme ose shitjen në ankand të tyre.