Qarqet sipas bizneseve për banor – Gjirokastra e para. Jugu “pushton” kryesimin e listës, veriu në fund

Në Shqipëri ka rreth 162 mijë ndërmarrje aktive, thonë të dhënat më të fundit të publikuara nga instituti i statistikave. Mesatarja flet për 57 ndërmarrje për çdo 1 mijë banor.

Por cilat janë qytetet me më shumë sipërmarrës dhe ato me më pak? “Scan” ka përpunuar të dhënat më të fundit të Instat në bazë të popullsisë së secilit qark, për të nxjerrë qarqet me numrin më të lartë të sipërmarrësve për banor si dhe ato me më pak.

Në bazë të të dhënave të analizuara, në vend të parë qëndron Gjirokastra, me plot 79.5 biznese për 1 mijë banor. Më pas ndjek Fieri me 77.5 biznese për çdo 1 mijë banor, ndërsa vendin e tretë e mban qarku i Beratit me 74.8 biznese për çdo 1 mijë banor. Dy qarqet më të mëdha të vendit të cilët ndajnë edhe pjesën e “luanit” në “tortën” e ekonomisë, Tirana dhe Durrësi mbajnë respektivisht vendin e 6-të dhe të 9-të. Në Tiranë numërohen 59.1 biznese për 1 mijë banor, ndërsa në Durrës, vetëm 42.9.

Por cilat janë qarqet më larg “shpirtit” të sipërmarrjes? Dibra është e fundit, me 24.9 biznese për 1 mijë banor, e ndjekur nga Kukësi, me 26.9 dhe Lezha me 42.1.

Ajo që bie në sy nga ky klasifikim është ndarja si me “thikë” e jugut me veriun.

Ndër 12 qarqet e vendit të klasifikuara sipas sipërmarrjeve për numër popullsie, 5 qarqet e para të listës janë nga jugu, përkatësisht: Gjirokastër, Fier, Berat, Korçë dhe Vlorë. Vendin e 6-të e mban Tirana ndërkohë.

Nga ana tjetër, në gjysmën e dytë, pra atë të qyteteve me më pak sipërmarrje për numër popullsie, figurojnë 4 qytete veriore, e madje 3 të fundit e listës janë të tilla; Dibra, Kukësi dhe Lezha. Asnjë qark i rajonit verior nuk e kalon mesataren kombëtare.