“Perlat” e Shqipërisë/ Këtë verë ta kthejmë situatën në mundësi për të zbuluar më shumë destinacionet tona turistike
Shqipëria e cilësuar si perla e Ballkanit njihet për bukuritë e zonave bregdetare dhe malore, që gjithnjë e më shumë po tërheqin turistët vendas e të huaj në çdo stinë të vitit.
Kryeministri Edi Rama publikoi sot një video me pamje nga vendet më të bukura të Shqipërisë, nga veriu në jug.
“Me disa imazhe perla të Shqipërisë, të cilat edhe me kushtet e pamundësisë për të lëvizur lirisht jashtë uroj të keni kohë e mundësi për t’i vizituar këtë verë”, – shprehet Rama.
Në videon promovuese me sloganin “Unë rri në shtëpi”, thuhet se “sekreti i fundit i Europës ka ende shumë për të zbuluar, edhe për ne që jetojmë këtu. Këtë verë e cila do të jetë pak më ndryshe nga të tjerat ashtu siç qëndruam në shtëpi për të mbrojtur familjet tona le të zgjedhim të qëndrojmë në vendin tonë dhe ta kthejmë këtë situatë në një mundësi për të zbuluar më shumë natyrën shqiptare, vendet më të bukua ato të pazbuluara ende, historinë dhe traditat dhe për të mbështëtur të gjithë ata që punojnë në sektorin e turizmit. Bashkohu me nismën “Unë rri në Shqipëri” dhe fillo të bësh planet afër teje dhe ato më të largëtat., ku mund të udhëtosh , të zbulosh, të shijosh, të festosh shqip”.
Për shkak të vijës së gjatë bregdetare Shqipëria ofron disa plazhe, nga veriu deri në jug, si në Velipojë të Shkodrës, në Shëngjin të Lezhës, në Durrës, Vlorë, Himarë, Sarandë, etj, plazhe këto që frekuentohen përveç shqiptarëve, edhe nga shtetas të huaj, që zgjedhin Shqipërinë si një destinacion turistik gjatë muajve të verës.
Gjithashtu, Gjirokastra, Berati, Butrinti, Kruja, Tirana, Shkodra, etj., janë destinacione të kërkuara për turizëm historik dhe kulturor.