Më 15 qershor rinis transporti publik
Në datën 15 qershor do të rinisë transporti publik në të gjithë vendin. Ministrja e infrastrukturës Belinda Balluku ka bërë të ditur vendimin e ri përmes një mesazhi në Twitter ku ka sqaruar dhe protokollin e masave anticovid. Ndër të tjera ajo kërkon respektimin e distancës mes udhëtarëve, teksa thekson se askush nuk do të lejohet të qarkullojë pa maska.
Një tjetër kriter është dhe kapaciteti që do të lejohet për të qarkulluar automjetet e transportit publik. Pas datës 15 dhe deri në një vendim të dytë kompanive do tu lejohet të kenë vetëm 70 për qind të numrit të udhëtarëve. Po ashtu prej task forcës është bërë e ditur se do të ketë një monitorim të shtuar për respektimin e rregullave. Kontroll i rreptë do të ketë dhe për dezinfektimin e autobuzëve që do të lejohet të qarkullojnë.
Numri i lartë i të infektuarve prej Covid duket se nuk ka cënuar vendimin e qeverisë për liberalizimin e qarkullimit. Vetëm këtë të diel u shënuan 14 raste të reja.
”Përkatësisht 10 raste në Tiranë, 2 raste në Shkodër, 1 rast në Krujë dhe 1 rast në Durrës.”
Po ashtu dhe numri i mjekëve me covid 19 është në rritje duke e çuar numrin në 45 në dy javë. Madje një prej tyre është riinfektuar.
Lajm i mirë vjen nga të shëruarit ku së fundi është kjo shtetase nga Ukraina, e cila pasi u regjistrua me covid në Sarandë u shtrua në spitalin infektiv disa ditë më parë.