Greqia çon Himarën në BE si kusht për negociatat, mediat turke: Tirana të ketë kujdes!
Më shumë se sa një vendim unanim, hapja e negociatave me Shqipërinë duket se është kthyer në një “turli politike”, ku të gjitha vendet anëtare kanë hedhur “përbërësit e tyre.
Të gjithë e prisnin që Franca të vendoste si kushtin për anëtarësimit e Shqipërisë uljen e numrit të azilkërkueseve, Holanda luftën kundër korrupsionit, por askush nuk e mendonte se Greqia do të mund të kushtëzonte integrimin e vendit tonë me pronat e minoritetit grek.
Athina mësohet se ka vënë dy kushte. Kushti i parë ka të bëjë me regjistrimin e popullsisë, ndërsa kushti i dytë rishikimi i ligjit për pronat.
Kryeministri grek Kiriako Mitsotakis ka kërcënuar prej kohësh qeverinë shqiptare me vendosjen e vetos për negociatat nëse nuk sigurohet respektimi i minoritetit grek. Madje, gjatë muajit prill, kur ministrat e BE-së diskutonin për hapjen e negociatave, Greqia nuk ka dhënë fillimisht miratimin për negociatat me vendin tonë.
Burimet diplomatike thanë që Athina ka dhënë aprovimin e saj pasi drafti i fundit përfshinte gjuhë më të fortë për mbrojtjen e pakicave greke dhe të tjera pakica kombëtare në Shqipëri. Të drejtat e minoritetit grek në Shqipëri kanë qënë prej kohësh “thembra e Akilit” në bisedimet mes Mitsotakis dhe kryeministrit Edi Rama.
Rezoluta e Parlamentit Europian thekson se miratimi përpara fillimit të një dialogu mbi ligjin e ri mbi procedurat e regjistrimit, të drejtat pronësore të anëtarëve të minoritetit grek dhe në përgjithësi zbatimin praktik të të gjitha të drejtave duke iu referuar Ligjit për Minoritetet e Shqipërisë përmes nxjerrjes së ligjeve në fuqi. Shqipëria ka hartuar një projekt-ligj për regjistrimin e titujve të pronësisë, draft i cili shkaktoi shumë reagime veçanërisht për zonën e bregdetit të Jugut.
15 kushtet e PE:
1- Miratimi i reformës zgjedhore
2- Funksionimi i Gjykatës Kushtetuese
3- Funksionimi i Gjykatës së Lartë
4- Finalizimi i ngritjes se strukturave kundër krimit të organizuar dhe anti-korrupsionit/Funksionimi i SPAK
5- Forcimi i luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, në bashkëpunim me vendet anëtare dhe nëpërmjet Plan Veprimit për adresimin e krimit financiar
6- Ulje e numrit të azilkërkuesve, ku një nga masat është bashkëpunimi me Hollandën, Francën, Britaninë e Madhe, Gjermaninë, Italinë, Irlandën. Vazhdimi i Zbatimit të Planit Ndërinstitutcional të Veprimit për parandalimin e azilkërkimit të qytetarëve shqiptarë në vendet e Schengenit
7- Rishikimi i Ligjit të Medias në linjë me rekomandimet e Komisionit të Venecias
8- Vazhdimi i Reformës në Drejtësi
9- Prova të vazhdueshme – Iniciimi dhe përfundimi i proceseve gjyqësore të shkallës së parë të zyrtarëve të lartë dhe politikanëve.
10- Progres në reformën e administratës publike.
11- Zbatimi i reformës zgjedhore ku përfshihen, financimi transparent i partive dhe administrimi i paanshëm i procesit dhe procesi i rregullt.
12- Vendimi për ligjshmërinë e zgjedhjeve lokale 2019 që kërkon plotësimin e Gjykatës Kushtetuese.
13- Miratimi i Akteve nënligjore të Ligjit për Pakicat Kombëtare ku janë disa VKM.
14- Miratimi i Ligjit (të amenduar) të Censusit
15- Avancimi i procesit të regjistrimit të pronave
Me kundërshtarë të brendshëm u bashkua edhe Greqia, që akuzoi qeverinë shqiptare se me këtë ligj po i heq të drejtën e pronës banorëve të Himarës, sipas saj minoritarë grekë. Drafti u dërgua për konsultim në Komisionin e Venecias, ku mori të njëjtat kritika. Ekspertët e cilësuan atë si antikushtetues në disa pika dhe që zbatimi i tij do të shkelte të drejtat e njeriut.
Po ashtu, deri në anëtarësimin e plotë, sipas rezolutës, mes Shqipërisë dhe Greqisë duhet të jenë zgjidhur përfundimisht çështje të rëndësishme të mbetur pezull siç është ajo e përcaktimit të kufirit detar.
Sigurisht, qeveria shqiptare nuk mori asnjë masë për të drejtat e minoritetit grek brenda javës, por u tërhoq nga ky vendim. Mitsotaqis nuk ka prezantuar një platformë ose zgjidhje për të drejtat e qytetarëve grekë në vendin tonë, por sigurisht që akuzat për këtë çështje kanë ushtruar jo pak presion mbi qeverinë Rama.
Mos-respektimi i të drejtave të minoritetit grek duket jetë jo vetëm një çështje me impakt në opinionin në vendin fqinj, por edhe një “as nën mëngë” në dorën e Mitsotakis. Ajo i ofron atij mundësi të mbajë nën presion qeverinë shqiptare, për të vendosur kushtet e tij për atë që është në të vërtetë molla e sherrit mes Greqisë dhe Shqipërisë: kufiri detar. Dhe ndryshe nga qeveria e mëparshme dhe ish-ministri Niko Kotzias, Mistotaqis dëshiron ta rinegociojë marrëveshjen e re të detit me kushtet e tij.
Kjo vijë e kufirit të detit, ku Shqipëria dhe Greqia ushtrojnë sovranitet të plotë, do të përbente edhe kufirin shtetëror Shqipëri-Greqi në pjesën veriore të Detit Jon. Edhe pse draft marrëveshja e arritur nga Bushati dhe Kotzias ishte gjithnjë e rrethuar nga misteri, gjatë dorëzimit të postit, ish-ministri grek shkaktoi jo pak kaos në Tiranë duke deklaruar se Greqia do të zgjeronte me 12 milje sovranitetin e saj detar. Edhe pse Athina zyrtare u tërhoq nga kjo deklaratë, Tirana zyrtare ka heshtur, duke mos pranuar as të mohonte dhe as të konfirmonte këto raporte.
Turqia gati të ndërhyjë
Pas sinjaleve të lëshuara në distancë dhe përmes medias, diplomacia turke vihet në lëvizje drejtpërdrejtë për të mbështetur Shqipërinë në dialogun e vështirë me qeverinë greke për ndarjen e kufirit detar. Sipas informacioneve të marra nga burime diplomatike, ministri Çavusoglu zhvilloi edhe një bisedë telefonike me ministrin e Jashtëm shqiptar Gent Cakaj për këtë çështje.
Ministria e Jashtme Shqiptare nuk referon asgjë për këtë bisedë, por mediat turke raportojnë për këshillat e Ankarasë për Tiranën lidhur me kujdesin që duhet të tregojë në referimin e ishujve shkëmborë.
Ditëmë parë, ministri i Jashtëm turk paralajmëroi sërish palën shqiptare të ketë kujdes me rishikimin e marrëveshjes detare për kufirin në Jon me palën greke, pasi marrëveshjes me italianët.
Gjatë vizitës së ministrit të Jashtëm, Mevlut Çaushoglu, në Tiranë vitin e kaluar, nuk u diskutua vetëm për shkollat por edhe për marrëveshjen e kufirit detar me Greqinë. Ankaraja zyrtare druhet se nëse Athina zgjeron sovranitetin detar në detin Jon, mund ta përdorë marrëveshjen me Shqipërinë për t’ju imponuar Turqisë në zgjidhjen e kufirit detar mes dy vendeve.
Greqia njoftoi pas dorëheqjes së ish-ministrit Kotzias zgjerimin me 12 milje detare të kufirit detar me Shqipërinë dhe Turqinë, por u tërhoq nga ky vendim pasi Ankaraja zyrtare paralajmëroi se një akt i tillë do të bëhej precedent për luftë.