DSIK me dy raporte për drejtuesin e Prokurorisë së Apelit Gjirokastër, Gjon Fusha
Komisioni i Pavarur i Kualifikimit evidentoi gjatë seancës dëgjimore se DSIK kishte rrëzuar konstatimin e parë për Fushën, duke e konsideruar të papërshtashëm bazuar në informacione për kryerje të veprimeve në kundërshtim me detyrën dhe përfshirjen e mundshme në situata korruptive.
Nga Edmond Hoxhaj
Drejtuesi i Prokurorisë së Apelit Gjirokastër, Gjon Fusha u përball të enjten me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, KPK, ku gjatë seancës dëgjimore u evidentua një raport i dytë Drejtorisë së Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, DSIK sipas të cilit ngrihen pikëpyetje mbi pastërtinë e figurës.
Trupa gjykuese e KPK që po kryen procesin e rivlerësimit për prokurorin Fusha përbëhet nga Genta Tafa Bungo kryesuese, Suela Zhegu relatore dhe Pamela Qirko anëtare. Në cilësinë e vëzhguesit ndërkombëtar ishte i pranishëm Branko Hrvatin.
KPK e vlerësoi pozitivisht prokurorin Fusha për profesionalizmin, ndërsa për kriterin e pasurisë u evidentua pasaktësi në mospaqyrimin në deklaratën vjetore të vitit 2005 të blerjes së një autoveture tip Benz Mercedes në vlerën 2000 euro dhe taksë doganë 138 mijë lekë.
Kjo pasaktësi u pranua edhe nga përfaqësuesja ligjore e prokurorit Fusha duke e konsideruar si një harresë, por shtoi se më parë kishte dhënë shpjegime edhe pranë Inspektoriatit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive e Konfliktit të Interesit, ILDKPKI.
Komisioni nuk identifikoi probleme lidhur me burimet e ligjshme për blerjen e autoveturës; për shpenzimet ndër vite; për një pronë të trashëguar nga babai; dhuratat nga familjarët dhe për një kredi në vlerën 1 milion lekë të marrë në vitin 2011 për arsye shëndetësore.
Gjon Fusha e ka nisur karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 2003, si prokuror në Prokurorinë e Gjirokastrës. Në vitin 2015, ai u emërua prokuror në Prokurorinë e Apelit të Gjirokastrës, institucion të cilin e drejton që pas shkarkimit nga vetingu të drejtuesit të mëparshëm.
Gjatë seancës dëgjimore të enjten, Fusha u paraqit me bashkëshorten, Anxhela Fusha e cila ishte në rolin e përfaqësues ligjore.
Raportet e ndryshme për figurën
Relatorja e çështjes, Suela Zhegu vijoi me konstatimet për kriterin e pastërtisë së figurës duke shpjeguar se fillimisht DSIK kishte konstatuar përshtatshmërinë e prokurorit Gjon Fusha për të vazhduar detyrën.
Me anë të një raporti të dytë, DSIK e bazuar në informacione të marra nga institucionet ligjzbatuese ka ndryshuar qëndrim duke e konsideruar prokurorin Fusha si të papërshtatshëm. Sipas DSIK, Fusha ka vepruar në dy çështje në kundërshtim me detyrën dhe dyshohet se mund të jetë përfshirë në situata korruptive.
Zhegu sqaroi se nga ana e prokurorisë së Gjirokastrës ishin dorëzuar dy procedimet penale për të cilat DSIK ka ngritur dyshime për paligjshmëri të kryera nga prokurori Fusha. Ajo nuk evidentoi të dhëna lidhur me dyshimet e DSIK, por shtoi se subjekti kishte dorëzuar shpjegime pranë KPK, që do të vlerësohen para marrjes së vendimit përfundimtar.
Bashkëshortja dhe njëkohësisht përfaqësuesja ligjore e prokurorit Fusha, Anxhela Fusha e quajti të drejtë vlerësimin e parë të DSIK-së, ndërkohë që u ndal gjatë në qëndrimin e tyre ndaj raportit të dytë që konstaton papërshtatshmërinë.
Ajo renditi disa çështje të përfaqësuara prej bashkëshortit në cilësinë e prokurorit të Apelit Gjirokastër për të cilat tha se mund të kishin lidhje me konstatimet e DSIK. “Ai ka zbatuar vetëm ligjin. Kush e lexon në mënyrë të njëanshme konstatimin e DSIK mund të ngrejë dyshime”.
Fusha tha se, nga sa janë njohur me konstatimet e DSIK, bëhet fjalë për dy çështje, një e vitit 2011 dhe një tjetër e vitit 2019. Ajo shtoi se lidhur me çështjen për të cilën hamendësonin, kishte nisur procedim pa emër edhe ish-Prokuroria e Krimeve të Rënda më pas e kishte pushuar.
“DSIK raporton të dhëna për veprime të kundraligjshme në vitin 2019, por pa asnjë referencë se në çfarë çështje”, pohoi Fusha.
Ajo shpjegoi se, nëse bëhej fjalë për hetimin dhe gjykimin e 10 të pandehurve të një procedimi për prodhim dhe shitje të narkotikëve në Sarandë, tre prej të cilëve për moskallëzim krimi, bashkëshorti i saj kishte kërkuar lënien në fuqi të vendimit të Shkallës së Parë për dënimin e tyre.
“Sipas DSIK, vëllai i një të pandehuri ka kontaktuar me subjektin i cili thuhet se i ka premtuar se do të mbajë të njëjtin qëndrim dhe se lekët që do ti ndante edhe me gjyqtarin, t’ia jepte avokatit. Prokurori Gjon Fusha ka kërkuar lënien në fuqi të vendimit të Shkallës së Parë që është pranuar edhe nga Apeli. Subjekti nuk ka pasur asnjëherë kontakt me të afërmit e të pandehurve. Duket që është sajesë e montuar me qëllim denigrimin e figurës së tij”, u shpreh avokatja Anxhela Fusha.
Ajo renditi edhe disa çështje të tjera për të cilat tha se, edhe pse mund të kishin lidhje me konstatimin e dytë të DSIK, në të gjitha rastet bashkëshorti i saj kishte zbatuar vetëm ligjin.
“Madje të pandehurit uronin që çështja të mos i binte prokurorit Gjon Fusha, pasi e dinin që ai zbaton vetëm ligjin” theksoi bashkëshortja e prokurorit Fusha.
Anëtarja e trupës gjykuese Pamela Qirko e pyeti prokurorin Fusha nëse në gjithë rastet që kishte përfaqësuar kishte lënë në fuqi vendimeve të Shkallës së Parë. Ai sqaroi se për shkak se hetimet kryhen nga prokuroria e Shkallës së Parë, thuajse në të gjitha rastet ai kishte kërkuar lënien në fuqi të vendimeve.
Për gjashtë denoncime të kryera nga publiku KPK u shpreh se nuk kanë rezultuar fakte apo rrethana që mund të përbëjnë prova.
Në përfundim të seancës dëgjimore drejtuesi i Prokurorisë së Apelit të Gjirokastër, Gjon Fusha kërkoi konfirmimin e tij në detyrë.
KPK do të shpallë vendimin më datë 8 qershor ora 10:00.