Tepelena pjesë e “shportës” turistike të Gjirokastrës, Tërmet Peçi tregon sfidat
Tërmet Peçi, kryetari i Bashkisë së Tepelenës vjen në një intervistë në “Konfident” dhe tregon se si ky qytet u bë pjesë e paketës turistike të qarkut të Gjirokastrës. Prej afro një viti, kjo bashki është organizuar me operatorët turistik dhe falë mbështetjes së donatorëve të huaj, është bërë pjesë e një rrjeti turistik, i cila funksionon i lidhur në formë trekëndore, që do të thotë Tepelenë – Gjirokastër – Përmet. Gjykojmë se duke funksionuar në këtë treg si një i vetëm, efektet për zhvillim të turizmit do të jenë më të shpejta, si dhe më të qëndrueshme. Falë kësaj nisme, gjatë bllokimit nga pandemia bordi administrativ, përmes së cilës edhe ne jemi të përfaqësuar, ka bërë të mundur hartimin e një plani për zbatim, duke marrë parasysh intervistat e zhvilluara me operatorët dhe analizuar me hollësi nevojat edhe efektet që solli COVID19. Tashmë ky produkt do të jetë online në treg, duke i ofruar vizitorit një sërë eksperiencash turistike brenda një shporte të vetme të alternuara midis qyteteve në qarkun tonë, me qëllim që të kemi një produkt sa më cilësor edhe një vizitor që qëndron më gjatë nga çfarë jemi mësuar të shohim në të shkuarën.
Covid-19 solli një situatë emergjence në Shqipëri, ku masat e ndërmarra për parandalimin e saj paralizuan vendin. Si është situata aktualisht në Tepelenë?
Fatmirësisht qarku i Gjirokastrës, gjatë gjithë periudhës së shpalljes së jashtëzakonshme nga pandemia COVID-19 ngeli zonë e paprekur. Ne bëm gjithë përpjekjet tona, që kjo situatë të ndjehej sa më pak, duke qënë sa më afër familjeve në nevoje edhe të moshuarve, të cilët janë pjesa më delikate në këtë bllok, që pësoi ekonomia dhe lëvizja e lirë. Natyrisht që për qytetarët tanë ka qenë e vështirë deri në momentin që u shpall zonë e gjelbër. Tashmë, qytetarët i janë kthyer punës normalisht, por duhet thënë se efektet e situatës edhe pse ne si zonë jetojmë në normalitet janë të vështira për ekonominë.
Cilat janë vështirësitë me të cilat është përballur pushteti vendor gjatë kësaj periudhë?
Përveç gjendjes së rënduar psikologjike që pësoi shoqëria në mbarë botën, ekonomia është kryefjala e çdokujt sot. Kemi mungesë të theksuar të depozitave që burojnë nga taksat apo tarifat vendore. Rritje progresive të papunësisë, e cila është një reaksion zinxhir për një arsye shumë të thjeshtë që është Coronavirusi. Kemi bërë ndryshime në planin buxhetor, për të mbrojtur sadopak biznesin me qëllim që në të ardhmen, me shpresë se gjërat do të përmirësohen, të kemi mundësinë e amortizimit të kësaj goditje të madhe që pësoi ekonomia jonë, e cila për hir të së vërtetës është e paaftë për të përballuar kriza të tilla.
Cilat janë pasojat më të mëdha që shkaktoi Covid-19?
As më pak edhe as më shumë se sa ajo që reflektohet në analizat e ekspertëve. Ajo që na ngelet të bëjmë, është të ndjekim me rigorozitet propozimet apo udhëzimet e qeverisë, pasi është e vetmja që mund të përllogarisë efektet e krijuara nga situata që ndodhemi. Bashkia Tepelenë ka një nivel tepër të ulët të të ardhurave nga burimet e veta, kështu që nuk ka një alternativë më të sigurt se sa zbatimi i udhëzimeve.
Mendoni se do të jetë e mundur zhvillimi i turizmit gjatë këtij viti?
Prej afro një viti, ne si bashki nëpërmjet organizimit të operatorëve turistik dhe mbështetjes së donatorëve të huaj, kemi mundur të bëhemi pjesë e një rrjeti turistik, e cila funksionon e lidhur në formë trekëndore, që do të thotë Tepelenë – Gjirokastër – Përmet. Gjykojmë se duke funksionuar në këtë treg si një i vetëm, efektet për zhvillim të turizmit do të jenë më të shpejta, si dhe më të qëndrueshme. Falë kësaj nisme, gjatë bllokimit nga pandemia bordi administrativ, përmes së cilës edhe ne jemi të përfaqësuar, ka bërë të mundur hartimin e një plani për zbatim, duke marrë parasysh intervistat e zhvilluara me operatorët dhe analizuar me hollësi nevojat edhe efektet që solli COVID19. Tashmë ky produkt do të jetë online në treg, duke i ofruar vizitorit një sërë eksperiencash turistike brenda një shporte të vetme të alternuara midis qyteteve në qarkun tonë, me qëllim që të kemi një produkt sa më cilësor edhe një vizitor që qëndron më gjatë nga çfarë jemi mësuar të shohim në të shkuarën. Duke përfituar nga rasti, lejomëni të ftoj të gjithë lexuesit që kanë dëshirë të porositin një paketë turistike në qyetetet tona, nëpërmjet site-it Visit-Gjirokastra edhe pse jo, të tregohemi solidar, duke ndihmuar ekonominë tonë të përmirësohet. Le të zgjedhin bukuritë e natyrës tonë për të pushuar këtë verë. Ndoshta kjo është edhe një mundësi për të njohur kulturën, trashëgiminë dhe historinë e vendit tonë, e cila është mjaft e pasur, e ku ka shumë për të mësuar.
Mbetet një sfidë turizmi?
Pa dashur të përsëris e theksoj se nuk kemi qëndruar duarkryq, për ata që duan vërtetë të bashkëpunojnë. Si kurrë më parë kemi një organizim të ri edhe tepër produktiv e cila është risi për Tepelenën. Turizmi në qytetin tonë është një fushë shumë pak e njohur, të cilën mundëm ta promovonim falë ndryshimeve infrastrukturore që pësoi bashkia jonë me investime intensive. Shpresoj shumë që të na ndjekin edhe sëbashku t’ja dalim do thoja unë pasi është sfidë në interes të të gjithëve ne pa përjashtim.
Çfarë iu ofron Tepelena tursitëve?
Tepelena është si një fëmijë në rritje ku për çdo ditë po përpiqemi t’i mësojmë apo nxitim që njerëzit që jetojnë aty të munden me qëllim që ato që kemi t’i shohin ndryshe edhe t’i përdorim duke i shfrytëzuar për mirë dhe përfituar prej tyre. Tepelena ka një natyrë të mrekullueshme, e rrethuar nga lumenjtë, burime të pashtershme ujore, male të lartë, kanionet magjike, vendbanime antike, ushqime dhe kuzhine tradicionale me produkte bio. Mund të shijosh rreth 20 lloje çajrash bimor natyral si askund tjetër, pasi gjithë zona për shkak të mikroklimës rrit rreth 60 lloje bimësh, ku gjysma e tyre kanë efekt kurues, aromatizues etj… Tashmë jemi vetëm 1 orë larg detit ku përmes maleve të Kurveleshit, për pak kohë mund të shkosh në Borsh edhe të rikthehesh sërish të zgjohesh në bujtinat e zonës. Padyshim që historia e Ali Pashës është “brandi” ynë, përmes së cilës Tepelena do të mund të hyj në tregun turistik në të ardhmen e afërt.
Janë miliona euro investime që po zhvillohen në infrastrukturë edhe shërbime publike çka po nxitin investitorë potencial për të ndërtuar paralelisht në Tepelenë. Këtu do ta lija mënjanë modestinë për të thënë se i gjithë territori ynë është kthyer në një kantier ndërtimi e rindërtimi që vështirë se mund të përsëriten më, pasi vlerat janë realisht në shifra të jashtëzakonshme për një qytet me një popullsi që si kalon 20.000 banorë.
Po sfida juaj si kryebashkiak cila është ?
Unë besoj se jam shumë afër asaj që dikur e konsideroja vërtetë sfidë. Tashmë po i japim Tepelenës dinjitetin edhe krenarinë që meriton. Ajo i ka dhënë shumë kohës, historisë dhe meriton të jetë një qytet ku vlen të jetohet. Për mua ngelet vetëm një fjalë, që kam shprehur qysh kur e nisëm sëbashku me kryetarin aktual të qeverisë, i cili padyshim ka mirënjohjen tonë më të madhe si qytetarë tepelenas, për mbështetjen e pakursyer. “Tepelena do të jetë porta e turizmit jugor”, dje ishte një ëndërr, ndërsa sot jemi afër më shumë se kurrë, edhe për këtë i jam mirënjohës të gjithë atyre që u bashkuan në atë që dikur e quanin “marrëzi”…