Si e parashikon Rama turizmin në vend këtë verë? Ja si përgjigjet kryeministri
Kryeministri Edi Rama, po zhvillon një bashkëbisedim online, me gazetarët në lidhje me pikëpyetjet për të ardhmen pas pandemisë së Covid-19.
I pyetur në lidhje me parashikimin për turizmin për këtë verë kryeministri Edi Rama u përgjigj se:
“Kjo është pyetja më e vështirë dhe dilema më e madhe e jona çdo ditë. Është jashtëzakonisht e vështirë dhe është një vendim që është një thikë me dy presa.
Rreziku është shumë i madh, por edhe mbyllja përtej një garancie ekuilibri mes ruajtjes së shëndetit dhe mbrojtjes së njerëzve nga katastrofa ekonomike është një domosdoshmëri.
Jemi duke diskutuar për këtë, jemi duke parë se çfarë po bëjnë vendet e tjera. Asnjë vend nuk ka përgjigje definitive për asgjë, të gjithë me duart përpara e sytë mbyllur dhe jemi duke e përpunuar vendimmarrjen dhe brenda pak ditësh do të dalim me vendimin.
Masat janë lehtësuar ndjeshëm, do vazhdojnë të lehtësohen, brenda muajit, ne duam që edhe kufijtë tokësorë të hapen, shpresoj që kjo të jetë e mundur.
Kemi hequr detyrimin e karantinimit në hotel dhe secili karantinohet në shtëpi. Udhëtimet ajrore janë shumë të kufizuara.
Mundësia e një përsëritje e një vale të re, nuk është e vogël dhe në rast se numrat do të fillojnë të kërcejnë përtej një pritshmërie të arsyeshme, do të jemi të detyruar të rimbyllemi, që do të ishte e rëndë shumë.
Është dilemë e madhe, nuk është pyetja a do hapet turizmi, por si? Janë shumë improvizime që bëjnë vende të ndryshme, pro të gjithë ecin me duar përpara e sy mbyllur”, u përgjigj Rama.