Sezon turistik në fillim të qershorit? Pritet vendimi i ekspertëve të shëndetësisë dhe miratimi i protokollit të plazhit

Çelja e sezonit turistik do të varet nga përhapja e koronavirusit përgjatë lehtësimit të masave këto dy javë.

Nëse reagimi do të jetë pozitiv dhe numri i rasteve të reja me covid-19 do të jetë i pakët, atëherë sipas burimeve pranë Ministrisë së Turizmit, data e hapjes së sezonit do të jetë e afërt, mendohet në javën e parë te qershorit.

Megjithatë, vendimi final do të jetë në dorën e Task Forcës së Shëndetësisë për koronavirusin.

Por sipërmarrësit turistikë kërkojnë që data përfundimtare të bëhet e ditur sa më parë, në mënyrë që të kenë kohë të përgatiten e të trajnojnë personelin.

Nga ana tjetër, draftprotokolli për masat anti-covid-19 pritet të ketë një version përfundimtar pas sugjerimeve të bizneseve turistike.

Strukturat hoteliere rekomandojnë se nuk është e nevojshme që në listën e pajisjeve mbrojtëse të kenë gjendje veshje njëpërdorimshme me mëngë të gjata si të personelit mjekësor, pasi është shpenzim i tepërt.

Si dhe kërkojnë që protokollit për pushimet verore deri në përfundim të covid-19 t’i shtohet një paragraf për guidën, vizitat në muze apo destinacione të tjera kulturore.

Pushimet verore që nuk do të jenë tradicionale, por sipas unionit turistik shqiptar nën një regjim ushtarak do të kenë edhe kosto shtesë pasi do të shtohet stafi dhe ndërkaq klientët do të jenë të reduktuar jo në kapacitetët e bizneseve për shkak të respektimit të distancës. Masat janë po aq te rrepta si në plazhe dhe në zonën e pishinave.

Ambjentet duhet të dezinfektohen të paktën një herë në ditë, ndërsa shezlonet mëngjes, drekë dhe darkë.

Distanca e shezloneve dyshe duhet të jetë minimalisht 2 metra nga një grup në tjetrin. Si dhe uji i pishinës duhet të pastrohet nga qarkullimi përmes një sistemi filtrimi të detyrueshëm.