Përfundon takimi i Metës me opozitën: Jepni kontribut në Këshillin Politik

Presidenti Ilir Meta ashtu siç u njoftua dje zhvilloi sot takimin me Partinë Demokratike dhe aleatët e saj, i cili përfundoi pak më parë.

Pas këtij takimi kreu i PD, Lulzim Basha ka reaguar në twitter për atë se çfarë u diskutua në këtë takim.

“Gjatë takimit të koalicionit opozitar me Presidentin Meta diskutuam për krizën dhe rrugëdaljen prej saj”, shkruan basha, ndërsa shton se “shqiptarët do të shpëtojnë kur, të bashkuar kundër së keqes, do t’u drejtohen kutive të votimit me te gjitha garancitë për zgjedhje të lira dhe të ndershme.

Reagimi i Bashës

Shembja e Teatrit është prova e fundit e një hajduti ordiner që i vjedh, i varfëron, dhe i dhunon shqiptarët. Me çdo ditë që kalon, RAMAVIRUSI i bën dhe më keq njerëzve dhe vendit. Ai është sot armiku i mirëqenies së shqiptarëve. Gjatë takimit të koalicionit opozitar me Presidentin Meta diskutuam për krizën dhe rrugëdaljen prej saj: shqiptarët do të shpëtojnë kur, të bashkuar kundër së keqes, do t’u drejtohen kutive të votimit me te gjitha garancitë për zgjedhje të lira dhe të ndershme.

Në një njoftim nga Presidenca mësohet se Meta i falenderoi për angazhimin dhe propozimet e tyre për tejkalimin sa më parë të situatës së vështirë të krijuar nga COVID-19.

“Kreu i Shtetit shprehu shqetësimin e thellë për ngjarjen e fundit të shembjes së paligjshme të Teatrit Kombëtar dhe e cilësoi atë si provokim për demokracinë, shtetin ligjor, por edhe për Opozitën e Bashkuar dhe natyrisht ndaj vlerave europiane.

Presidenti Meta i informoi për përpjekjet dhe propozimin prej Tij të një platforme konkrete gjithëpërfshirëse për integrimin europian.

Presidenti Meta theksoi rëndësinë që Opozita e Bashkuar të japë kontributin e saj në Këshillin Politik për të treguar vullnetin për rikthimin e legjitimitetit të të gjithë institucioneve përmes zgjedhjeve të lira e të ndershme”, thuhet në njoftim.