Nuk gjen qetësi Kadastra e Vlorës, komandohet Viola Hima

Odisea me Kadastrën e Vlorës vazhdon. Në krye të këtij institucioni është komanduar Viola Hima, e cila zëvendësoi Bilal Aliaj, që u dorëhoq rreth një javë më parë.

Bilbil Aliaj zëvendësoi në këtë post Taulant Canametin, drejtuesin e komanduar që qëndroi në krye të Kadastrës së Vlorës për rreth 4 muaj, pas dorëheqjes të bordit drejtues.

Para Canametit në krye të Kadastrës ishte  Elona Hodaj, e cila mori detyrën më 19 shtator. Shkak i largimit të drejtuesve të Kadastrës së Vlorës është bërë një vendim i Gjykatës së Lartë për një pronë në bregdet në Jalë.

Para Hodajt në krye ka qenë Alteo Nazeraj, një nga punonjësit e Kadastrës që ndenji vetëm 10 ditë në detyrë, ku ish-drejtori Florian Almadhi kishte kërkuar hetim për tjetërsim pronash. Florian Almadhi dha dorëheqjen pas 5 muajve në detyrë, ndërsa së bashku me të janë shkarkuar n/drejtori dhe tre specialistë të institucionit më 9 shtator 2019.

Në datën 11 shtator zbarkoi në këtë institucion anti-krimi ekonomik, ndërsa në hetim u  vendosur 23 punonjës, pasi akuzohen se kanë tjetërsuar pronën e një personi në Jalë duke ia kaluar një tjetri. Report Tv siguroi edhe një urdhër, që ish-drejtori Almadhi në 25 qershor 2019 lëshoi për një hetim për 21 specialistë lidhur me tjetërsimin kësaj prone. Mes specialistëve të hetuar ishte dhe Alteo Nazeraj.