Një çadër 50 euro? Klosi: S’bëjmë dot asgjë për çmimet, e vendos tregu
Ministri i Mjedisit dhe Turizmit, Blendi Klosi ka folur sot për mënyrën se si mund të bëhet turizmit këtë sezon veror.
Në një intervistë për emisionin “Eko Fax” në Fax News, Klosi u shpreh se distanca mes shezlongeve do të jenë 2.5–3.5 metra, ndërsa për tarifat do të merret vetë pushteti lokal.
“Sa i përket distancave që ne kërkojmë, është një kërkesë e Organizatës Botërore të Turizmit, pak a shumë në të njëjtat distanca janë edhe tani në hotelet shqiptare, 2.5–3.5 metra larg nga njëri-tjetrit shezlonget, pra nuk është se kërkohet ndonjë sforco e madhe, por edhe ai biznes duhet futur kontroll pasi tërmeti dhe pandemia na penguan në bërjen e ligjit të ri të bregdetit, por në bazë të ligjit ekzistues, plazhet kontrollohen nga bashkitë që vendosin dhe tarifat. Për tarifat nuk mund të jetë shteti negociator, janë vendimmarrje të pushtetit lokal, çdo bashki ka tarifat e saj”, u shpreh Klosi.
Sa i përket abuzimeve me çmimet, ku këtë fundjavë është raportuar se një çadër kushtonte 50 euro, Klosi tha shteti nuk mund të bëjë asgjë për këtë dhe duhet të jemi realistë në këtë diskutim pasi flasim për një biznes më të goditur dhe numër më të ulët të klientëve dhe të ofertës.