Nga plazhet te infrastruktura në qytet, Leli: Vlora, gati oferta turistike sapo të nisë lëvizja e pushuesve
I cilësuar si perla e jugut, qyteti bregdetar i Vlorës mrekullon me bukuritë e tij natyrore dhe monumentet e shumta kulturore mijëra turistë të huaj dhe vendas çdo vit.
Me ujin e kristaltë dhe plazhet mahnitëse bregdeti i Vlorës po pret me padurim turistët dhe pushuesit e parë, edhe pse këtë vit pritet që shumica prej tyre të jenë turistë vendas dhe nga trojet shqiptare, për shkak edhe të pandemisë COVID-19, që ka përfshirë pothuajse gjithë botën.
Me një transformim rrënjësor vitet e fundit falë projektit të Rilindjes Urbane tashmë Vlora është një destinacion për të mos u humbur për pushuesit.
Në axhendën e qëndrimit të turistëve që vizitojnë çdo vit Vlorën, përfshihen shëtitje në qytet, vizita në objekte dhe vende të ndryshme historike dhe kulturore, si Zvërneci, Kanina, etj, ndërsa nuk mungon as Llogoraja, si dhe plazhet e shumta që shtrihen përgjatë vijës bregdetare.
Për kryetarin e bashkisë së Vlorës, Dritan Leli, turizmi është bërë prarandës i zhvillimit ekonomik të qytetit.
Në një interviste për Agjencinë Telegrafike Shqiptare, kryebashkiaku Leli shprehet se “nuk besoj se ka më mirë se Vlora, pasi në situata të vështira si kjo e pandemisë, ofron një vijë bregdetare nga grykderdhja e Vjosës dhe vijon në drejtim të Orikumit, 10 kilometra, Karaburuni, ku vizitorët mund të gjejnë plazhe, apo edhe plazhet e Sazanit, pra një paketë e plotë turistike, ku respektohet distancimi social”.
“Edhe këtë vit do të kemi turizëm të suksesshëm, sigurisht në kushte pandemie, siç do na lejojë situata. Kuptohet që është e paparashikueshme se çfarë do të ndodhte dy muaj më parë dhe nuk e dimë se çfarë do të ndodhë nesër. Ne na takon ta përgatisim ofertën tonë turistike për ata që do të zgjedhin të pushojnë disa ditë këtë vit”, – thekson Leli.
Lidhur me risitë që ofron bashkia e Vlorës për turistët këtë sezon veror, Leli shprehet se “ajo që i kam ofruar bizneseve dhe restoranteve, ishte përjashtimi nga taksa e sipërfaqes publike që nuk u shfrytëzua gjatë kohës së pandemisë. Kjo është mbështetje e pranuar me pozitivitet nga operatorët turistikë. Ajo që është e rëndësishme nga të gjithë ne është të gjejmë një mënyrë korrekte bashkëpunimi për të promovuar strukturat që ndodhen në territor dhe që janë korrekt për çmimet. Çmimet i vendos tregu dhe jo kryetari i bashkisë. Ajo që unë e përmend shpesh asnjëherë nuk duhet të rendim për të fituar diçka sot për të humbur më tej në vitet në vijim, por duhet të reflektojmë me përgjegjshmëri ofertën turistike për të gjitha njësitë hoteliere apo restorantet”.
“Ajo që unë kam ofruar si kryetar i bashkisë ka qenë mbështetja ime personale duke patur një lidhje online 24 orë në 24 për 365 ditë të vitit për të gjitha njësitë hoteliere apo restorantet e qytetit. Të gjithë hotelierët apo pronarët e restoranteve mund t’i shkruajnë kryebashkiakut për çdo problematikë që shfaqet dhe gjithashtu unë me stafin e bashkisë ofrojmë asistencën për problematikën që ata shfaqin, pasi duhet të luftojmë të gjithë së bashku për planet makro për të ardhmen tursitike të Vlorës”, – tha Leli.
Çdo projekt që realizojmë, vijoi ai, çdo investim publik do të bëjë që oferta turistike e Vlorës të jetë më e spikatura në ofertën turistike shqiptare.
Kryebashkiaku Leli shprehet se “zona pas tunelit deri në Orikum, një vijë bregdetare 23 km, do të transformohet në dy bypass-e, për të anashkaluar plazhet e për t’i lënë të lirë qytetarët për të shijuar plazhet dhe hapësirat publike. Pra një ndërhyrje e madhe transformuese, duke i dhënë një mbështetje të madhe industrisë së turizmit në Vlorë dhe në Shqipëri”.
Sa i përket masave të marra nga bashkia dhe se sa të sigurtë do të ndjehen pushuesit në Vlorë, Leli sqaron se “ne jemi duke respektuar të githë programin që qeveria shqiptare ka, që Ministria e Shëndetësisë është duke ndjekur në mënyrë rigoroze dhe për këtë dua të përshëndes pa fund për punën e jashtëzakonshme që po zhvillojnë. Ne po punojmë që kur të kemi hapjen, apo lajmin e mirë që njësitë hoteliere mund të nisin aktivitetin e tyre në drejtim të turizmit dhe vizitorëve ne të jemi gati në mënyrë që të mirëpresim të gjithë ata që duan të vizitojnë Vlorën”.
“Protokollet janë të rëndësishme, sot janë në këto nivele, pas ca kohësh mund të ndryshojmë. Duhet të tregohemi qytetarë të përgjegjshëm, siç ndodhi gjatë kohës së pandemisë, për të mos kthyer vatra të tjera në territor. Është e rëndësishme të kuptojmë se çdo gjë që bëjmë është për të mirën e të gjithëve dhe ekonomisë së të gjithë shiqptarëve. Dhe turizmi në këtë prizëm është një industri e tërë, një makineri ekonomike për qytete si Vlora, por dhe më tej për të gjithë vendin tonë. Jemi duke punuar që bashkia e Vlorës të bëjë maksimumin që kushdo që vjen në Vlorë të gjejë atë që pret”, – shtoi Leli.
I pyetur nëse bashkia ka ndonjë nismë konkrete për të promovuar Vlorën, Leli përgjigjet se “videoklipi, spoti publicitar që paraqitëm ishte nisma e parë e sezonit në kushte pandemie, ku në atë mënyrën gjysëm melankonike dhe pak optimiste duke shkuar nga fundi, i dërguam thirrjen shqiptarëve për të mbërritur në Vlorë”.
“Videoklipi u realizua tek Fari i qytetit. Në fakt ishte një nga vendet më pak të zbuluara dhe të fotografuara. Në Ishullin e Sazanit ai Far luante rolin orientues për detarët sa herë kishte kohë të keqe apo gjatë natës dhe kjo ishte simbolika që unë zgjodha të shkoj te FARI, që është udhërreëfyesi shqiptarëve, prandaj dhe spoti është në shqip për të qenë një udhërrëfyes për të gjithë shqiptarët për të zgjedhur Vlorën si destinacion turistik këtë vit”, – tha Leli.
Më tej, kryetari i bashkisë së Vlorës u shpreh se “mendojmë që pjesa më e madhe turizmit do të jetë nga trevat shqiptare, Kosova etj, për të zgjedhur Vlorën si destinacion turistik. Ajo që nisëm këtë vit ishte e ndryshme nga ajo që kemi bërë vitet e shkuara. Ne nisëm që në javët e para të janarit punën për paketën turistike, pa e menduar askush pandeminë. Në fund të shkurtit ishim në panairin ndërkombëtarë të Leçes, ku bashkia e Vlorës paraqiti ofertën e saj turistike në një panair ndërkombëtar. Kam takuar atje shumë personalitete të fushës së turizmit që shprehën vlerësimet dhe interesin e tyre për Vlorën, qytetin që e kanë përballë çdo mëngjes kur zgjohen, por që nuk e kanë vizituar kurrë”.
“Ishte një gjë e suksesshme, por që pandemia na i ndryshoi të gjitha. Grupet e xhirimit të qytetit, operatorët po punojnë me grupet e tjerë të njerëzve, me personazhe të spikatur të suksesit për të përsëritur thirrjen: Ju presim në Vlorë! Ia dolëm mbanë në betejën e COVID-it në karantinë dhe tani jemi për të fituar betejën tjetër, atë të ekonomisë dhe që duhet me patjetër me optimizëm ta rimëkëmbim ekonominë e ndaluar të qytetit”, – nënvizoi Leli.
Sa i përket investimeve që po kryhen në Vlorë, kryebashkiaku Leli shprehet se “investimet i kemi pasur të mëdha dhe të vogla. Nuk ndaluan në asnjë moment investimet përgjatë gjithë periudhës së pandemisë. Flas këtu për mbjelljen e fidanëve dhe shkurreve, rreth 28 000 u mbollën përgjatë bulevardit kryesor “Ismail Qemali”, zona fundore e tij, sipas projektit”.
“Punonjësit e gjelbërimit kanë punuar duke respektuar masat e sigurisë. Vijojnë punimet në shtëtitoren buzë detit, në Lungomaren e famshme dhe ka përfunduar pjesa deri tek fusha e sportit dhe tanimë me projektin e ri dhe po vijon puna për pjesën deri tek tuneli. Tanimë do të kemi një pishinë olimpike të vendosur në territorin e njohur si plazhi i “kryetarit” dhe me një parkim të dedikuar për të shfrytëzuar pjesën më të bukur, “Belvedere” e qytetit është quajtur. Do ketë njësi shërbimi, që do ndryshojnë standardin e qytetit. Ky do jetë një plazh me pesë yje tha Kryeministri Rama, me të gjitha hapësirat e nevojshme për të shfrytëzur ujin e detit apo atë të pishinës olimpike dhe atë për fëmijë. Ne kemi krijuar kushtet që punimet të vijojnë edhe gjatë sezonit turistik”, – theksoi Leli.
Sipas tij, projekt tjetër që ka rendur ka qenë dhe projekti i zonës historike të qytetit, ku ka përfunduar mobilimi urban, duke u kthyer në një atraksion të ri turistik për banorët e Vlorës.
“Një nga projektet e rëndësishme që ka nisur në shtator të vitit të shkuar dhe që vijon është sistemi i kanalizimit të ujërave të zeza që sjellin ndotje në Lungomaren e qytetit. Është një projekt i punuar ngushtësisht nga bashkia e Vlorës dhe Drejtoria e Përgjithshme e Kanalizimeve, që vija bregdetare e Vlorës të mos ketë më ndotje. Ajo që kemi bërë falë ndëhyrjes në shëtitoren buzë detit, ajo që ka përmirësuar ndjeshëm praninë e ujërave të ndotura dhe në projektin e ri do mundësojë zero derdhje të hedhjes së ujërave të ndotura në Lungomare dhe qytetin e Vlorës”, – bëri të ditur Leli.
Kryetari Leli kujton kohën kur mbaroi Lungomare ku sipas tij, pjesa e dyqaneve sportive patën bum shitjesh të biçikletave, veshjeve sportive, saqë dikush më tha që kemi shitur biçikleta aq sa nuk kemi shitur në 20 vite të marra së bashku.
“Ishte pikërisht vija bregdetare e Vlorës që kishin 8 km vajtje ardhje korsi biçikletash, e cila ishte dallëndyshja e parë e ndryshimit të mentalitetit të njerëzve për lëvizjen dhe që ndryshoi mënyrën e sjelljes së qytetarëve për lëvizjen dhe edukojnë në mënyrë të pakuptuar njerëzit se si të përshtasin jetën e tyre me investimet dhe të zhvillojnë biznes. Në harkun kohor të një viti u hapën 450 biznese të reja me përfundimin e Lungomares”, – tha Leli.
Ajo që më bënë përshtypje, vijon ai, është se është viti i pestë në drejtimin e bashkisë së Vlorës dhe më herët njerëzit ndërtonin pallate dhe shfrytëzoheshin nga pak persona, sot 90% e bizneseve është të ndërtojnë hotele apo ti shpërshtasin strukturat e tyre për t’i shndërruar në një stil hoteliere.
“Pra çdo administratë duhet të reflektojë sjelljen e saj sipas kërkesave që biznesi ka në territor. Turizmi është bërë prarandës i zhvillimit ekonomik të qytetit”, – tha Leli.
Në mesazhin e tij drejtuar turistëve vendas dhe të huaj se përse duhet të zgjedhin Vlorën për të kaluar pushimet këtë verë, kryebashkiaku Leli shprehet se Vlora njihet për destinacionet e shumta që ka.
“Destinacionet në Vlorë janë pa fund, manastiri në Lagunën e Nartës, fantastik, tanimë me një urë gjarpërueshe mund të shkosh duke e vizituar të gjithë peisazhin. Flamingot, vizitorë të përhershëm tashmë të Lagunës së Nartës. Nuk mund të lësh kalanë e Kaninës, Muzeun Historik Kombëtar të Pavarësisë, që është pranë detit dhe afër portit dhe falë një projekti të ri, ku do transformohet plotësisht ai territor, që do transformohet si “Central Park” të ngjashëm me atë të New York për të pasur një qasje tjetër dhe nëj vend tjetër pushimi në qendër të qytetit”,- tha Leli.
Po ashtu, shtoi ai, kemi mbaruar vitin e kaluar bulevardin “Ismail Qemali”, që është shndërruar në një mushkëri të gjelbër të qytetit, që ua rekomandoj qytetarëve të Vlorës dhe vizitorëve.
Për kryetarin Leli një tjetër aspekt se përse duhet vizituar Vlora është edhe kulinaria.
“Pretendoj të kemi turistët vendas. Për turistët e huaj do jemi hap pas hapi dhe do jetë një nga lajmet më të mira. Ne po punojmë duke menduar kushtet në të cilat ndodhemi dhe duke pasur në mendje tmerrin e madh që kaluan të gjithë njerëzit dy muaj më parë dhe gjatë kësaj periudhe. Jemi duke përgatitur hapësirat e hotelerisë për të pritur njerëz dhe në fund fare duhet ta zgjedhim Vlorën, pasi jo rastësisht ne kushtuam rëndësi kulinarisë, ku shumë prej personazheve ishin kuzhinierë të famshëm të qytetit, njëri prej tyre Bujari, kur nisi të tregojë për formën karakteristike të gjellës së gjyshes, apo tavën e peshkut, si dhe historitë fantastike që vetëm Bujari di të tregojë me stilin e tij, më duket sikur shumë njerëz janë kuzhinierë dhe ai ishte profesori. Më duket sikur ky personazh është i dalë nga letërsia franceze. Shumë pak i mendojnë vlonjatët me tiganë në dorë, por janë me shumë shije…”, shprehet Leli.
“Pra çdo gjë është në funksionalitet dhe qyteti është mikpritës”, – tha Leli.